top of page

Po vjen shtatori i protestave të mëdha, opozita në rrugë

  • Writer: Glob News
    Glob News
  • Aug 22, 2018
  • 4 min read

Opozita pritet të nisë vrullshëm aksionin politik në muajin shtator. Pas heshtjes së detyruar të pushimeve verore, opozita pritet të kthehet fuqishëm duke synuar dobësimin e pushtetit të Edi Ramës. Shenjat për një betejë të fortë janë dhënë gjatë kësaj jave, kur opozita PD dhe LSI kanë nisur denoncime për lidhje të segmenteve të pushtetit me krimin e organizuar. Në serinë e sulmeve janë Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla dhe deputeti i Durrësit, Ergys Çyrbja. Të dy ligjvënësit e PS akuzohen për lidhje me persona të inkriminuar. Ndërkohë që në ditët në vijim pritet të dalin të dhëna të tjera për persona nga qeveria dhe grupi parlamentar i PS, të përfshirë në shkelje ligji dhe lidhje me persona të inkriminuar. Sikurse për një ministër të rëndësishëm pritet një dosje spektakolare.

Pjesa e parë e aksionit të opozitës është denoncimi i rasteve flagrante të korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë me organizimin e qytetarëve për protesta me synimin final largimin e qeverisë “Rama”. Motivet për protesta janë të shumta dhe nisin që nga çështja e Teatrit Kombëtar, që është dhe pika me e nxehtë e momentit, e deri të koncesionet dhe korrupsioni qeveritar. Dhe droga, ku opozita akuzon se është kryeministri drejtuesi i këtij rrjeti criminal. Në këtë linjë, kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili bëri dje thirrje për revolta dhe mosbindje civile ndaj qeverisë. Duke marrë si shembull protestat në Itali kundër koncesioneve, Vasili tha se reagimi popullor ndaj kësaj qeveria është më e pakta që mund të bëjnë shqiptarët. “Mosbindja civile është legjitime dhe më pakta në Shqipëri përpara kësaj poshtërsie që i bëhet qytetarëve të varfër dhe të vobektë shqiptar. Kur Italia e pasur i ka koncesionet gur në qafë dhe po i anulon këto koncesione mendoni këta hajdutet tanë të qeverisë që duan ti vënë gjithandej”,- deklaroi dje kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili.

Ndërsa protestat janë të pashmangshme për opozitën, beteja politike do të bëhet jo vetëm në shesh, por edhe në Parlament. Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, politika pritet të kthejë në vëmendje çështje që kanë mbetur pezull. Dhe në tavolinën e diskutimeve, pika e parë dhe më kryesore është fati i gjithë reformës në drejtësi. Mazhoranca e cilëson të suksesshme reformën, pasi ka larguar disa gjyqtarë që kanë pasur probleme me pasurinë. Por gjithë suksesi është në rreth 10 emra të larguar. Pjesa tjetër e reformës ka sjellë një kaos institucional që nuk ka precedentë në historinë e shtetit shqiptar. Gjykata e Kushtetuese nuk funksionon më, Gjykata e Lartë ka mbetur pa anëtarë dhe me nisjen e punës nga komisionet e vettingut, pas pushimeve, pritet të bllokohen dhe gjykatat e apelit. Kaosi që nisi me gjykatat supreme do të shtrihet në gjithë sistemin e drejtësisë së vendit duke sjellë bllokimin total. Këtë situatë PS dhe qeveria e cilësojnë si normale dhe pjesë të reformës. Ndërkohë që opozita ka një tjetër qëndrim, ku në disa pika tashmë bashkohen dhe ndërkombëtarët. Procesi i vettingut dhe bllokimi i gjykatave për opozitën janë një skemë e llogaritur nga qeveria për të kapur drejtësinë e re. Emrat që kanë kaluar vettingun, me disa përjashtime, janë të gjithë gjyqtarë dhe prokurorë që njihen për lidhjet që kanë afër qeverisë, ose për vendimet pro ministrave që kanë dhënë gjatë seancave gjyqësore. Ndërkohë me bllokimin e gjykatave, të gjithë proceset e bujshme ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë kanë mbetur vendnumëro. Sot nuk ka asnjë gjyqtarë që merr në dorë dosjet e ish-ministrave apo ministrave. Gjykata e Lartë nuk ka kuorumin e duhur për të shqyrtuar çështje. E gjithë kjo situatë është në favor të qeverisë. Për ta legjitimuar dhe me tej procesin e reformës, PS kërkon në shtator votat e opozitës për të miratuar ligjin e magjistraturës. Ndërkohë opozita është për rikthim të konsensusit të vitit 2016 kur u miratua reforma në drejtësi dhe rishikim të emërimeve në prokurori e në institucioneve kyçe që ka bërë mazhoranca gjatë vitit të fundit.

Por teksa reforma në drejtësi është bllokuar, zgjedhjet e ardhshme vendore po afrohen me shpejtësi. Klasa politike duhet të kishte nisur me kohë diskutimin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor për të shmangur blerjen e votës. Edhe në këtë pikë konsensusi është shumë larg dhe mazhorancës i intereson që të mos bëjë asnjë ndryshim ligjor që i jep më shumë pushtet kontrolli, opozitës në zgjedhje.

Me këtë skemë që kapi drejtësinë dhe kur Rama nuk jep asnjë garanci për zgjedhje të lira, opozita ka vetëm një rrugë: protesta për të dobësuar ose larguar qeverinë “Rama”. Nëse më parë opozita ka pasur mëdyshje për protestat, pasi mund të dëmtonin procesin e integrimit, ose bllokonin reformën në drejtësi, situata këtë herë është krejt ndryshe. Procesi i integrimit u shty për një vit, për faj të qeverisë dhe drejtësia është bllokuar nga qeveria. Opozita ndodhet në fazën që ose do të vazhdojë lojën sikur s’ka ndodhur asgjë, ose duhet të detyrojë qeverinë të tërhiqet. Nëse zgjedh variantin “ta shtyjmë dhe këto muaj”, thjesht ka firmosur dështimin e radhës në zgjedhje.

Opozita ka një rrugë: përballjen në rrugë me turma.

 
 
 

Comments


Liqeni Artificial i Tiranës, Tiranë, Albania

  • Facebook
  • Twitter
  • LinkedIn

©2017 by Globnews.Al. Proudly created with Wix.com

bottom of page