Xhafka: ‘Rama si dhia, veç kakërdhia’
- Glob News
- Jul 2, 2018
- 2 min read
Nga Agim Xhafka
Duke pritur në Sarandë tragetin për Korfuz, tre mesoburra ngjitur me tavolinën time, flisnin për qeverinë, siç bën rëndom shumica e popullit shqiptar sa hap sytë çdo mëngjes.
Dukej që nuk ishin në një mendje nga që bërtisnin fort dhe hera herës u ngrihej si pallat damari i ballit.
Nuk donin t’ia dinin që trazonin qetësinë e të tjerëve. Tirrnin leshtë e muhabetit të tyre pa u ndrojtur fare.
Thelbi i bisedës qe se Rama për pesë vjet nuk ka bërë asgjë.
-Siç qemë, jemi, njësoj. Pa punë, pa rritje rrogash, pa ulje çmimesh, pa…
Por s’qe e thënë të mbaronte mendimin se çirrej tjetri:
-Po Saliun e harrove, more? Po të vrarët e 2 prillit, po…
As ky nuk i vinte dot pikë muhabetit se ia fillonte britmës i treti:
-Akoma me Saliun ju, akoma me vitin 1938 si Enveri, akoma me ata që ikën, akoma…
Kot i shkonte gulçima dhe këtij. Riniste tema atje ku e nisën.
-Asnjë rrugë, asnjë investim, pa drita e pa ujë…
-Avash ti, avash, se mos e ndriti Saliu…
-Na çatë trapin ju me këto sherre…
Në fund njëri prej tyre lëshoi një frazë që për çudi e pranuan të tre debatuesit e zjarrtë. Dhe ranë squk. U vendos qetësia.
-Rama ashtu si dhia, deri tani ka bërë veç kakërdhia.
Heshtje në lokal. Nuk u ndërsenë më si qentë me njëri-tjetrin.
Se në fakt e vërteta e këtij pesëvjeçari kështu doli. As rrugë, as rroga, as shëndetësi falas, as arsim cilësor, as paqe sociale, as ulje e varfërisë, as investime të huaja, as hyrje në Evropë, as… Vetëm ca kakërdhia asfalti në autostradën Tirane-Durrës.
Pritej veza e madhe premtuar në fushata, në dëgjesa, në tv e gazeta dhe doli kakërdhia, ama realizuar bukur dhe mjeshtërisht në 3D. U pranua si aforizëm,ndaj tre burrat heshtën. Kësaj qeverie i përshtatet si logo një kakërdhi qoftë dhe e vockël.
Atë çast erdhi koha të hypi në traget. Sa afrohem te polici i kufirit ai ma bën me dorë të ec. Nuk kontrollon në kompjuter as pasaportë e as biletë.
Kishin ikur dritat. Nga trageti shihja si fekste Korfuzi, ngjitur me atdheun, dhjetë milje afër, dy botë larg. Po ecja mes valëve dhe po lija pas me trishtim brigjet e Kakërdhi Landit tim…
360grade.al

Comments