SUPERAKSIONI I BASHKISË BLLOKON BIZNESIN VIP, 3 MILIONË EURO TAKSA VENDORE TË PAPAGUARA
- Glob News
- Jun 5, 2018
- 1 min read
Pas shumë muajsh investigimi dhe survejimi është finalizuar me sukses një superaksion i task-forcës së Bashkisës së Tiranës e cila arriti të bllokonte aktivitetin e një biznesi vip që kishte vite që i shmangej taksave vendore.
Fotoja në fjalë tregon një biznes privat i kategorisë vip që zhvillonte aktivitetin e tij brenda një kioske llamarine me sipërfaqe 4 metra katrorë në zonën pranë Tregut Elektrik. Sipas licensës, biznesi kryesor ishin tregtimi i materialeve elektrike, ndonjë llambë dhe shtrirja e kabllove klientëve por duke përdorur rryshfetin kishte arritur t’ja shtrinte kabllin edhe taksave vendore.
Duke shfrytëzuar faktin që Bashkia është tërësisht e zënë me ringjalljen urbane të Tiranës, ashtu pa u ndjerë presidenti i biznesit në fjalë kishte arritur të akumulonte detyrime ndaj taksave vendore të Bashkisë në shumën prej 3 milionë Euro të vjetra.
Kioska që ishte e ndarë në disa departamente ku përfshihej marketingu, burimet njerëzore, shitjet, importi dhe eksporti, është bllokuar menjëherë ndërsa presidenti i kompanisë i shpëtoi arrestimit në momentin e fundit duke dalë nga dera e pasme e kioskës si dikur Enver Hoxha tek Kafe Flora.
Sipas burimeve të Brek Njuz, presidenti ndodhet në arrati të plotë tek klubet aty rrotull kioskës duke menduar të gjejë një zgjidhje ndërkohë që përpiqet të sqarojë klientët që e marrin në telefon pasi gjejnë kioskën mbyllur.
Një zëdhënëse e Bashkisë ka bërë të ditur se kioska mund ti rikthehet aktivitetit normal vetëm pasi të ketë paguar këstin e parë prej 500 mijë Euro cdo muaj deri në shlyerjen e detyrimit prej 3 milionë Euro.

Comments