Denoncon gazetari/ Sadri Abazi vodhi 10 mln euro tendera me dokumenta false, tani po zhvat edhe doga
- Glob News
- May 8, 2018
- 2 min read
Deputeti socialist, Sadri Abazi duket se është përfshirë sërish në një tjetër skandal. Këtë herë ai është denoncuar nga gazetari i ‘Report Tv’, Adriatik Doçi, se duke shfrytëzuar postin e tij të deputetit ka kaluar pa doganë ‘mjete pune’.
Gazetari Doçi shkruan se “Ligji nr. 8550, datë 18.11.1999, për statusin e deputetit, neni 17, parashikon që ‘deputetit i lejohet që vetëm në një rast gjatë mandatit të tij të mos paguaj detyrim doganor për mjetet e punës, që lidhen me veprimtarinë e tij si deputet”, por sipas tij, Abazi nuk e ka lënë pa shfrytëzuar këtë mundësi për të kaluar në doganë mjete që ende nuk dihet se ç’mjete janë.
Postimi i plotë:
Babëzia, deputeti që mori ‘leje’ për të futur mall pa doganë
Babëzia dhe mediokriteti i deputetit Sadri Abazit nuk kanë skaje. Nuk i mjaftojnë paratë që merr nga buxheti i shtetit shqiptar, me anë të kompanive familjare, por shfrytëzon maksimalisht edhe privilegjet që burojnë nga statusi i deputetit. Nga verifikimet rezulton se, Sadri Abazi, në vitin 2016, ka kërkuar një autorizim të veçantë nga Parlamenti Shqiptar, për të futur në Shqipëri ‘mjete pune’ pa paguar detyrimet doganore, siç paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë.
Ligji nr. 8550, datë 18.11.1999, për statusin e deputetit, neni 17, parashikon që ‘deputetit i lejohet që vetëm në një rast gjatë mandatit të tij të mos paguaj detyrim doganor për mjetet e punës, që lidhen me veprimtarinë e tij si deputet’. Sadri Abazi nuk ka mundur dot pa e shfrytëzuar edhe këtë nen. Ai është pajisur me një vërtetim nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvend, për të sjellë në Shqipëri ‘mjete pune’, pa paguar detyrimet doganore. Se cilat janë këto mjete pune, mbetet për t’u zbuluar në vijim.
Deputeti Sadri Abazi, për të cilin nuk dihet nëse e ka mbarur shkollën e mesme, pretendon se është diplomuar në Gjenevë, pa u larguar më shumë se sa një muaj nga Shqipëria, sipas formularit të dekriminalizimit. Duke u lëpirë pas kindave të xhaketës së Edi Ramës, ky farë deputeti ka disa vite që ka futur dorën në buxhetin e shtetit shqiptar, ku gllabëron një pjesë të taksave të shqiptarëve, me anë të kompanisë Usluga shpk, të cilën e ka kaluar formalisht në emër të familjarëve të tij. Kohët e fundit, kompania Alko Impex Construction, në pronësi të Arbër Abazit, nipi i deputetit Sadri Abazi ka marrë rreth 10, 8 milionë euro tendera, një pjesë me ofertën më të lartë dhe një pjesë me dokumente të falsifikuara.

Comments