Taulant Balla, intervistë ekskluzive për ERTV
- Glob News
- Apr 28, 2018
- 8 min read
Në një intervistë ekskluzive për televizionin personal të kryeministrit Edi Rama, “ERTV” kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka sqaruar qëndrimin e Gjermanisë për negociatat. I pyetur nga gazetari i qeverisë nëse kritikat e opozitës dëmtojnë hapjen e negociatave, Balla tha “po”.
Gjithashtu, gazetari i televizionit të kryeministrit e pyeti Tualant Ballën se cili ishte qëndrimi i tij për reformat e qeverisë dhe sukseset e kabinetit “Rama”. Intervista pati momente mjaft të nxehta me pyetjet ngacmuese të gazetarit të kryeministrit të PS dhe kreut të deputetëve të PS. Debati më i ashpër mes gazetarit dhe kreut të deputetëve të PS ishte nëse; Qeveria “Rama” është e suksesshme apo ajo është shumë, shumë e suksesshme.
Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Z. Balla, kryeministri Rama zhvilloi një vizitë dy ditore në Berlin ku momenti më i rëndësishëm mbetet takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel. Sigurisht vizita ka një kontekst të caktuar që është lobimi për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Si pjesë e delegacionit që shoqëroi kryeministrin, cili është mesazhi që morët nga Gjermania lidhur me çeljen ose jo të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian?
Mund të them me bindje të plotë që kemi zhvilluar një vizitë shumë të sukseshme. Këtë e them në një kontekst më të gjerë sesa konteksti aktual, por do ta quaja një prej vizitave, ndoshta vizita më e sukseshme të një kryeministri shqiptar në Gjermani gjatë gjithë këtyre viteve tranzicioni po të kemi parasysh që Shqipëria sot është në një moment historik.
Kemi marrë rekomandimin nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave.
Dua ta them shumë troç dhe shkoqur për të gjithë ata që nuk kishin veshë për të dëgjuar fjalën e zonjës së nderuar, kancelares gjermane Merkel por nisur edhe nga fakti që pata nderin që të isha pjesë e këtij delegacioni, që Gjermania mbetet një prej mbështetësve kryesorë të aspiratës për integrimin europian të Shqipërisë. Mbetet një prej mbështetësve kryesorë të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian përtej rritjes së euro-skepticizmit edhe në Gjermani ku edhe zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani konfirmuan një rritje të forcave politike që janë kundër Bashkimit Europian në tërësi. Dua të them që ndër 698 anëtarët e Bundestagut gjerman, sepse pjesë e vizitës zyrtare të kryeministrit ishin edhe takimet qoftë me një personalitet të rëndësishëm të politikës gjermane në 40 vitet te fundit që është Wolfgang Schäuble, i cili është kryetar i parlamentit dhe Bundestagut gjerman, po ashtu edhe anëtarë të nderuar të Komitetit për çështje të Bashkimit Europian.
Por për të qenë korrekt me përgjigjen ndaj pyetjes suaj dua të them që ne nuk shkuam në Gjermani për të marrë një po publike të zonjës Merkel në konferencën për shtyp me kryeministrin, por shkuam në Gjermani për të vijuar një proces komunikimi të çështjeve që kanë të bëjnë me vlerësimin e progres raportit të publikuar nga Komisioni Europian dhe sigurishtë për të ndarë me bashkëbiseduesit gjermanë vlerësimet e tyre shumë pozitive.
Për të gjithë ata që nuk kishin veshë të dëgjonin dua të citoj fjalë për fjalë atë që tha kancelarja Merkel e cila në konferencën e saj për shtyp: “Shqipëria i ka plotësuar fort ato që Komisioni Europian vite më parë i kishte quajtur parakushte.
Lidhur me këtë historinë, kushte e parakushte, Shqipëria sot nuk ka më kushte por parakushtet i ka plotësuar sipas asaj që ka thënë Komisioni Europian.
Ajo që duhet të jetë e qartë për të gjithë është se vendimmarrja për hapjen përfunimtarë të negociatave në Këshillin Europian të 28 qershorit nuk është një vendimarrje që merret vetëm nga Gjermania. Gjermania është një vend shumë serioz që respekton procedurat e marrëdhënieve qeveri – Bundestag në mënyrën më të mirë të mundëshme dhe dua t’ju informoj për të gjithë ata që nuk e dinë dhe të gjithë ata që ende nuk e kanë kuptuar se si funksionon ky proces se në ditët në vijim ministri ijashtëm gjerman, miku i mirë do ta quaja i zgjerimi, që është Heiko Mass do ti dërgojë Bundestagut gjerman opinionin, pra rekomandimin e komisionit dhe sigurisht prej këndej fillon dhe procesi i involvimit në këtë proces qoftë i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian por qoftë edhe i Bundestagut në tërësi.
Si i lexoni z. Balla deklaratat e deputetit gjerman Krichbaum që thotë se reformat në Shqipëri janë të pamjaftueshme dhe se çelja e negociatave për Shqipërinë do të ishte e parakohshme?
Unë nuk jam i surprizuar nga deklaratat e z. Krichbaum. Dua ta them që ne e dimë pozicionin e z. Krichbaum prej muajsh, pse jo prej vitesh tashmë po të kujtoj këtu deklaratat e tij të bëra dy vite më parë në Tiranë në vitin 2016. Por nuk dua të ndalem këtu.
Unë dua të them me plot bindje dhe e ritheksoj që kthehemi nga Gjermania me konstatimin se brenda 698 anëtarëve të Bundestagut gjerman ka një shumicë bindëse në favor të vijimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, sikurse ka tek-tuk edhe deputetë të caktuar, ku përfshihet edhe z. Krichbaum pozicioni i të cilit është shumë i qartë pasi nuk është në favor të vijimit të procesit të integrimit europian të Shqipërisë në stacionin e radhës që është edhe hapja e negociatave.
Por, e theksoj se kjo nuk është një surprizë. Dua të them që në dëgjesën që komisioni për çështjet e Bashkimit Europian në Bundestag, z. Krichabum sipas protokollit ka pritur kryeministrin në hyrje të godinës së Bundestagut, ka drejtuar mbledhjen e këshillit me një rregull shumë të mirë dhe sigurisht që ne aty patëm mundësi të dëgjonim pozicionet e pothuajse të të gjitha grupimeve politike.
Dua të ndaj me ju sot se jo vetëm parti brenda koalicionit qeverisës sikurse është partia Social-Demokrate që ka edhe portofolet e ministrit të jashtëm dhe të ministrit për çështjet europiane të cilët janë pozicionuar qartë pro hapjes së negociatave, keni edhe deklaratën e një miku tjetër të Shqipërisë deputetit gjerman Josipoviç i cili ka thënë se: Partia Social – Demokrate është pro këtij këtij procesi, po kështu keni dhe partinë e të gjelbërve, liberalët e lirë apo edhe të majtën Linke dhe sigurisht edhe folësit e CDU-CSU, asnjëri prej tyre nuk është shprehur kundër hapjes së negociatave.
Ky është një proces i cili fillon javën tjetër. Javën tjetër pritet që Ministria e Jashtme gjermane ti dërgojë Bundestagut rekomandimin dhe vlerësimet e veta mbi këtë proces.
E ritheksoj edhe një herë se ne nuk ishim në Gjermani për të marrë “Po-në” sot, por ne ishim në Gjermani për të garantuar një mbështetje të vazhdueshme të Gjermanisë në këtë proces. Unë jam i bindur se në fund të qershorit ne do ta kemi mbështetjen gjermane.
Ky është një proces padiskutim dinamik që ka përpara sfida shumë të rëndësishme, e ka theksuar edhe kryeministri që sfida më të vështira në presin. Do të doja të fokusohesha pak te ajo rrymë e kritikëve që fokusohen te problemet që ka vendi. Për shembull, rritja e numrit të azilkërkuesve në Gjermani, rritja e kriminalitetit në vend dhe lufta kundër kanabisit. Për të treja këto opozita ka këmbëngulur vazhdimisht duke i shenjuar si dështime të qeverisë shqiptare.
Çertifikuesi më i paanshëm i të gjithë shifrave shqetësuese që ju ngrini dhe çdo media tjetër në vend, janë institucionet europiane sikurse është Eurostati por janë edhe ato gjermane të cilat ne të paktën i besojmë.
Por unë dua ti marr me radhë.
Në tremujorin e parë të vitit 2016 numri i azilkërkuesve shqiptarë ishte 4050, në tremujorin e parë të vitit 2017 ishte 1775, në tremujorin e parë të vitit 2018 ishte 728.
Kjo është e para e cila sigurisht që ka përbërë një shqetësim. Dua të ndaj me ju për herë të parë një shifër që ndoshta nuk është bërë ende publike: sot shqiptarët janë të parët për numrin e të kthyerve vullnetarisht në vendin e origjinës.
I dyti shqetësim i juaji është rritja e kriminalitetit. Edhe për gjermanët sikruse për shumë vendeve të zhvilluara në botë një prej indikatorëve më të besueshëm të rritjes apo uljes së kriminalitetit është vrasja. Në fund të fundit fataliteti që buron nga kriminaliteti është vrasja.
Atëherë, po e nis nga 2010-a. Për vitin 2010-2011 kemi rritje të kriminalitetit në Shqipëri, kujtoj këtu që ministër i Brendshëm ka qenë zotëria që është drejtor administrative i SHQUP-it, Lulzim Basha. Për të shkuar pastaj në 2012-ën që është niveli më lartë i 8 viteve të fundit që është 126 vrasje. Në vitin 2017 kemi nivelin më të ulët historik të të gjithë tranzicionit shqiptar të vrasjeve, vetëm 52 të tilla.
Çfarë mund të thoni për kanabisin z. Balla? A ja ka dalë Policia e Shetit që ta luftojë këtë fenomen?
Të jeni të sigurtë që viti 2017 ishte viti i një suksesi të pakontestueshëm nga të gjithë partnerët tanë në Bashkimin Europian përfishirë këtu edhe Gjermaninë.
Dua t’ju them se rezultatet e arritura gjatë vitit 2017 janë bazë e shëndoshë për ti konsoliduar gjatë vitit 2018. Dua të deklaroj me përgjegjësi të plotë edhe si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste edhe si sekretar i Përgjithshëm i saj që viti 2018 do të jetë viti i fundit që diskutohet kjo çështje ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve tanë. Shqipëria historinë me kanabisin do ta mbyllë në vitin 2018.
Sa kohë mendoni ju do t’i duhet qeverisë shqiptare, shtetit shqiptar për të çuar deri në fund reformat që ka ndërmarrë për të kapërcyer gjithë ato pengesa?
Sot Bashkimi Europian ka dy diskutime, madje edhe një dilemë. Dilema është që procesi i integrimit europian brenda vetë Bashkimit Europian që do të thotë se reformimi i sistemit të vendimarrjes dhe vetëfunksionimit të BE-së. Ndërsa diskutimi ka të bëjë me zgjerimin apo jo të BE?
Për këtë ka dy pikëpamje: të thellojmë reformën ndërinstitucionale të Bashkimit Europian përpara se të vijojmë procesin e zgjerimit apo të vazhdojmë procesin e zgjerimit.
Duhet të kemi parasysh që procesi i negociatave është instrumenti më i mirë që Bashkimi Europian ka përkundrejt vendeve aspirante për ti bërë ato vende më të përgjegjshme.
Për monitorim më të rreptë siç thotë z. Basha?
Më vjen keq që e konstatoj se z. Basha e njeh përciptazi këtë proces më besoni për këtë.
Meqenëse ma përmende z. Basha, dua të them që mua më vjen keq sepse në fund të takimit që ne kishim me Komisionin për Çështjet e Bashkimit Europian, z. Krichbaum bëri një deklaratë të shkurtër lidhur me disa thashetheme në Tiranë dhe vërejta me keqardhje se z. Krichbaum bëson më shumë përrallat dhe thashethemet e Lulzim Bashës sesa raportin e Komisionit Europian.
Dua sot të ndaj me ju dhe do ta ndaj këtë çështje edhe në seancën më të parë të Kuvndit të Shqipërisë, turpin që një javë më parë po në të njëjtën sallë kish lënë Lulzim Basha me mënyrën se si kish folur për atdheun e vet dhe për Shqipërinë.
Pse duhet ta bëjë?
Pse e bën Lulzim Basha këtë pyesni Lulzim Bashën, por është për të ardhur keq.
Lulzim Basha mori përsipër të bindte një person ndër 698 anëtarët e Bundestagut që quhet Gynter Krichbaum. Aftësitë bindëse të Lulzim Bashës lënë aq shumë për të dëshiruar saqë vetëm një deputet të vetëm mori përsipër të bindte dhe edhe më shumë ja ka shtuar inatin me thashethemet, me baltën ndaj Shqipërisë.
Balla, ndërsa ju ishit në Gjermani, ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin bëri thirrje për konsensus politik përmes palëve për të bashkëpunuar në rrugën drejt integrimit europian. A jeni ju të gatshëm si mazhorancë që të përfshini opozitën shqiptare në një aksion të përbashkët politik dhe diplomatik për të përmbushur të gjitha kushtet që kërkohen për çeljen e negociatave dhe më tej për integrimin europian?
Ambasadorja Vlahutin mbetet një mike e vyer e Shqipërisë. Dua të theksoj se kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste z. Rama ka qenë shumë i qartë prej ditës së parë kur ne morëm progress-raportin e Komisionit Europian i cili rekomandonte hapjen e negociatave, që Partia Socialiste është e gatshme të shtrijë dorën e bashkëpunimit me opozitën në funksion të një përpjekje të përbashkët jo vetëm për pritshmëritë tona për fund qershorin.
Ju e dini që ne i kemi besuar opozitës në Kuvend dy institucione shumë të rëndësishme të monitorimit të procesit europian sikurse është Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian dhe po ashtu Komisioni për Integrimin Europian.
Ne do të depozitojmë në ditët në vijim një rezolutë në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për mbështetjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Një apel dërguar të gjitha vendeve anëtare përsa i përket vendimarrjes që ata do të marrin në Këshillin Europian në 28 qershor për hapjen e negociatave.
Përmes kësaj rezolute duam të ndërtojmë tërësisht një klimë tjetër politike, favorizuese për këtë fazë të rëndësishme të procesit.
Balla faleminderit që ishit sot në ERTV dhe paçi fat në rrugën e përpjekjeve tuaja!
Faleminderit!

Comments