“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arben Ahmetaj: Na ka gjetur belaja me këtë popull!
- Glob News
- Apr 28, 2018
- 3 min read
Nga Alket Aliu

Satirë
Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë, nga fusha ekonomike. Bursa e Sarajevës, pati ulje. Themi lajm i mirë pasi, ulja e bursës në Bosnjë, tregon largpamësinë e qeverive tona. Ato, më kot, vazhdojnë të mos e vënë në punë Bursën e Tiranës.
E meqë ta llafi te Tirana, dje nisën në zonën e Don Boskos, punimet për riaftësimin apo siç i themi neve në gazetari, rehabilitimin e rrugëve dhe shesheve.
Themi lajm i mirë pasi, tashmë në këtë zonë, makinat do të kenë mundësi të parkojnë në ish-rrugët e zëna nga ndërtimet pa leje. Kuptohet, do parkojnë me pagesë, por në këtë rast, bashkisë i shtohen paratë që do fusë në arkën e vetë, për të mirën tonë.
E meqë ra llafi te paratë. Ne biseduam me shokun Arben Ahmetaj, ministër i Ekonomisë Socialiste.
Ja bashkëllafosja e bërë me të.
Antena: Përshëndetje, shoku Arben! Ju shikoj të lodhur...
Arben Ahmetaj: Isha në Komisionin e Ekonomisë, ndaj.
Antena: Po, po, ju pashë. Më pëlqyet shumë!
Arben Ahmetaj: Më lodhi Erioni. Gër-vër me pyetje. Unë ja bëja më sy, që mos të më pyeste shumë, ai vazhdonte avazin.
Antena: Për shokun Erion Braçe, e keni llafin?
Arben Ahmetaj: Për atë, po. Ka ca kohë nuk shikon mirë. I kam thënë të vendosë syze më cilësore, por nuk më dëgjon.
Antena: Desha t'ju pyes për atë taksën që do vendoset më Rrugën e Kombit. Thonë që do jetë disa herë më e lartë se shifra që këshilloi kompania, që u mor me studimin e...
Arben Ahmetaj: Ashtu?! Nuk e dija këtë fakt.
Antena: Më falni, shoku Arben, por ju jeni edhe ministër i Ekonomisë! Si nuk e dini?!
Arben Ahmetaj: Me këto punë, merret vetë i madhi ynë. Unë merrem me gjërat e tjera.
Antena: Meqë ra llafi te gjërat. FMN-ja ka thënë që të ndalohen koncesionet. Ju, ç'mendim keni për këtë sugjerim të tyre?
Arben Ahmetaj: Mirë ka thënë! Edhe unë jam pro këtij mendimi.
Antena: Do i ndaloni, d.m.th?
Arben Ahmetaj: Do ndalojnë vetë, nuk kanë nevojë të ndërhyjmë ne.
Antena: Më falni shoku Arben, por si aguridhe që jam me këto çështjet ekonomike, nuk e kuptoj këtë vetë ndalimin. A mund të na i...?
Arben Ahmetaj: Në vitin 2021 që kemi planifikuar t'i ndalim, nuk do kemi çfarë të japim më me koncesion. Ndaj thashë që do ndalojnë vetë. Ne gjërat i lëmë të bëhen vetë. Madje edhe njerëzit i lëmë që t'i bëjnë vetë. E dëgjuat Kryeministrin kur foli?
Antena: Jo, nuk e dëgjova. Ku dhe kur foli?
Arben Ahmetaj: Foli në Polis të Librazhdit. E bëri fora! Ju tha fshatarëve atje që, duhet të mblidhen së bashku dhe të vendosin ata se, ku të ndërtojnë pikën e grumbullimit të prodhimeve të tyre.
Antena: Po nëse fshatarët nuk bien dakord me njeri-tjetrin, si do bëhet?
Arben Ahmetaj: Kjo gjë nuk është faji i qeverisë, por i fshatarësisë që nuk është qytetëruar aq sa duhet, sa të gjejë gjuhën e përbashkët.
Antena: D.m.th., qeveria të presë sa të mblidhet fshati, pastaj...?
Arben Ahmetaj: Po nuk u mblodhën, në të keq të tyre është. Jo më kot, shoku Edi zgjodhi fshatin Polis, për këtë gjë.
Antena: A mund të na i thoni edhe neve shpjegimin?
Arben Ahmetaj: Polis, nga greqishtja e vjetër, do të thotë "bashkim qytetarësh". E sqaron vetë filozofi Platon në veprën e tij, por s'kam kohë të ta sqaroj, se jam i dërmuar nga lodhja.
Antena: E shoh që jeni lodhur. Puna të...
Arben Ahmetaj: Kur nuk bashkohen vetë fshatarët aty në Polis, për hir të emrit që mbajnë, imagjino njerëzit në zonat e tjera. Na ka gjetur belaja me këtë popull...
Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj
Comentários