Brukseli shkallmon Sadri Abazin, i heq dorën nga buxheti i shtetit shqiptar
- Glob News
- Apr 20, 2018
- 4 min read
Adriatik Doçi

Atë që nuk e bëri dot kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste për pesë vite me radhë, e mundësoi Bashkimi Evropian, në një hark të shkurtër kohor. Ambasadorët e disa prej vendeve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian në Tiranë, përfaqësia e OSBE dhe Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës (GRECO) kanë detyruar Kuvendin e Shqipërisë të miratojë një vendim, i cili përpos të tjerave, i heq dorën deputetit Sadri Abazi nga buxheti i shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve, i votuar në Parlament, në fillim të muaj prill. Kodi i Sjelljes ndalon rreptësisht që fëmijët, bashkëshorti, bashkëshortja, bashkëjetuesit apo prindërit e deputetit, aksionerë në kompani të ndryshme, të marrin më pjesë në tendera, për të përfituar para nga buxheti i shtetit. Ky parashikim ndalon kanalizimin e parave të buxhetit të shtetit shqiptar në xhepat e deputetit Sadri Abazi dhe familjarëve të tij.
Çfarë ka ndodhur? Qytetarët shqiptarë, kush më shumë dhe kush më pak, paguajnë taksa. Një pjesë nga këto taksa shkojnë në xhepat e Sadri Abazit. Kështu, qytetarët udhëtojnë me urban, ndërsa Sadri Abazi me makinë mbi 100 mijë euro. Qytetarët blejnë një banesë me kredi, Sadri Abazi ka me dhjetëra apartamente. Skema e përftimit është e thjeshtë. Familjarët e Sadri Abazit, bashkëshortja dhe fëmijët menaxhojnë kompaninë USLUGA, ku njëri është administrator, tjetri ekonomist, tjetri ortak etj. Më parë kompaninë e ka patur vetë Sadri Abazi, por për të evituar djegien e mandatit të deputetit nga Gjykata Kushtetuese, e ka kaluar kompaninë në emrin e familjarëve. Që nga viti 2013, institucionet e shtetit shqiptar janë përfshirë në një garë të ethshme se kush u jep më shumë tendera familjarëve të Sadri Abazit, sidomos një kompanie të nipit të tij. Kompania i ka fituar tenderat me ofertën më të lartë çka shton dyshimet se Abazi e përdor mandatin e deputetit vetëm për të ndikuar tek institucionet publike.
Përmbajtja e Kodit të Sjelljes së Deputetëve reflekton ndërhyrjen e Brukselit. Ambasadorët e vendeve më të rëndësishme të BE kanë ushtruar presion të vazhdueshëm tek kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. “Unë ju thashë që me rastin e zgjedhjes sime Kryetar takoj dhjetëra ambasadorë dhe një nga problemet që shtrojnë ata është pikërisht kjo”, ka deklaruar Gramoz Ruçi, në një mbledhje me dyert të mbyllura të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të datës 17 tetor 2017.
Neni 17 i Kodit Etik Kufizime gjatë ushtrimit të mandatit
1. Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet: a) të ushtrojë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave; b) të kryejë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre; c) të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; ç) të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër; d) të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.
2. Kufizimi i përcaktuar në pikën 1 shkronja “b” përfshin edhe ndalimin për të aplikuar dhe/ose fituar të ardhura direkte ose indirekte nga procedurat e tenderimit të autoriteteve prokuruese publike nga shoqëria tregtare, e zotëruar në mënyrë aktive nga deputeti qoftë edhe pjesërisht, dhe prej të cilës ai është larguar për shkak të fillimit të mandatit të deputetit. 3. Pronësia aktive nënkupton ushtrimin e plotë të të gjitha të drejtave që rrjedhin nga pronësia, aksionet ose pjesë të kapitalit. 4. Pozita dominuese në treg vlerësohet nga autoriteti përgjegjës për konkurrencën sipas legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës. 5. Kuvendi mund të kërkojë nga autoriteti përgjegjës për konkurrencën të kryejë vlerësime për një kompani në të cilën një deputet ka aksione ose kapital për të vlerësuar nëse ka pozitë dominuese në treg. 6. Nëse aksionet ose pjesët e kapitalit regjistrohen në emër të një të afërmi, që do të thotë bashkëshortit/bashkëjetuesit, fëmijët e rritur, prindërit e deputetit, ato konsiderohen të njëjtë sikur të ishin të regjistruar në emër të vetë deputetit dhe, të drejtat për pronën e të afërmve kufizohen në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë deputetit.
Disa prej institucioneve shtetërore që i kanë dhënë para kompanive të familjarëve të Sadri Abazit dhe njerëzve të tjerë të tij të afërt
Posta Shqiptare i jep 55 mijë euro çdo vit. Bashkia Dibër, 1,73 miliardë lekë. Bashkia Dibër, 790 milionë lekë. Bashkia Dibër, 870 milionë lekë. Bashkia Dibër, 870 milionë lekë Bashkia Dibër, 1 miliardë e 720 milionë lekë Bashkia e Tiranës, 4 milionë USD, nipit të Sadri Abazit, Arbër Abazi Bashkia Tiranë, 1.8 miliardë lekë Drejtoria e rrugëve, 562 milionë lekë Bashkia Librazhd, 84 milionë lekë Bashkia Librazhd, 480 milionë lekë Bashkia Peqin, 180 milionë lekë OSHE, 940 milionë lekë Ministria e Mirëqenies, 440 milionë lekë Bashkia Kavajë, 1 miliardë e 390 milionë lekë Bashkia Patos, 120 milionë lekë Bashkia Pukë, 230 milionë lekë
PëlqejShiko më shumë reagime
Komento
Sh
Comments