Cilësia e jetesës në 2018, Tirana e fundit në Ballkan, e parafundit në Europë
- Glob News
- Mar 22, 2018
- 1 min read
Tirana renditet e 176 nga 231 qytete në botë, për cilësinë e jetesës në 2018. Krahasuar me fqinjët rajonalë, jemi shteti me cilësinë më të ulët të jetesës këtë vit. Kryeson listën Zagrebi i 98, më pas Beogradi renditet i 139, Sarajeva e 159, Shkupi renditet i 161. Ndërsa në Europë, jemi të parafundit, duke lënë pas vetëm Minski, në Bjellorusi, i cili renditet i 188-i.
Këtë vlerësim e ka bërë kompania këshilluese Mercer, duke u bazuar në 39 kritere të ndryshme dhe në këtë listë, Vjena zë vendin e parë për të nëntin vit radhazi. I dyti, është Zyrihu, Zvicër. Dallimi mes Vjenës dhe Zyrihut, sipas Mercer, është oferta kulturore më e pasur e metropolit austriak ndërsa kësaj i kontribuon edhe cilësia e transportit publik dhe ofertat për kalimin e kohës së lirë.
Mynihu si qyteti i tretë në listë për nga cilësia e jetesës ka bërë viteve të fundit përpjekje të mëdha për të tërhequr talentet dhe ndërmarrjet. Po ashtu ka investuar në vazhdimësi në infrastrukurën Hightech si dhe ka promovuar institucionet kulturore.
Në fund të listës, pra qytetet me cilësinë më të ulët të jetës janë: Bagdadi (Irak) në vendin e 231-të, Bangui (Republika e Afrikës Qendrore) në vendin e 230-të, Sanaa (Jemen), në vendin e 229-të dhe Port-au-Prince (Haiti) në vendin e 228-të.
Mercer ka marrë në studim 231 qytete të mëdha të gjithë botës, renditja e së cilave bëhet sipas këtyre kritereve: përkujdesja shëndetësore, oferta e trafikut, pastërtia e ajrit, siguria, stabiliteti politik etj.

Comments