top of page

Cili është kontributi juaj në opozitë?!Çfarë informacionesh për keqeverisjen denoncuat ? - Grupimit

  • Writer: Glob News
    Glob News
  • Mar 9, 2018
  • 3 min read

Sabah Jemishta

Kam dhe unë mendimin tim!

Jam në PD, para se të formohet ajo, pasi jam gatuar si antikomunist.Nuk kam qenë kurrë pjesë e ndonjë partie apo organizate tjetër, as hapur, as fshehur.Bëj pjesë në strukturat e PD-së, nga formimi i saj e deri sot, në opozitë dhe në pushtet. Gjatë këtyre viteve, kam luftuar, kam punuar, kam gabuar, por kurrë nuk kam reshtur së qeni antikomunist. I njoh personalisht të gjithë drejtuesit dhe ishdrejtuesit e PD dhe çdo lloj zhvillimi që ka patur kjo parti. Si unë ka shumë, jashtëzakonisht shumë.

Po dëgjoj palët, që përplasen dhe po ravijëzohet një grupim, që në thelb, thotë se nuk është kundër PD, por qartazi është kundër Kryetarit aktual të PD-së. Më shqetëson në ligjërimin e tyre, mungesa totale e opozitarizmit antikomunist, asnjë fjalë për qeverisjen dhe kundërshtarin politik. Në diskurin e tyre vëren vetëm një refren, Basha, po bën keq, po bën keq, po bën keq... dhe kryesisht për veprimtarinë e tij brenda PD- së, dhe asnjë fjalë se si po bën opozitën, asnjë fjalë se çfarë nuk po bën, apo një alternativë programore apo politike se si duhet ta bëjë. Në thelb të artikulimit, është ajo, se Basha i ka hequr nga deputetë të PD dhe kërkojnë pjesën e tyre në PD. Miqtë e mi! Ju keni qenë deputetë të PD, dhe mbajtës të funksioneve të tjera shumë të larta në PD, për dekada. Arësyeja kryesore e kësaj, siç e dini ju mirë, por siç e di dhe unë dhe shumë të tjerë, si unë, është se ju ju ka përzgjedhur Sali Berisha.Keni punuar, keni kontribuar, keni përfituar, keni gabuar sipas hierarkisë që keni patur, deri në vitin 2013, kur PD doli në opozitë. Berisha mori përsipër përgjegjësinë e humbjes dhe dha dorëheqjen nga funksionet e tij, por ne e dimë mirë, që Berisha nuk është i vetmi përgjegjës në këtë histori, por jemi të gjithë, sipas hierarkisë së pushtetit që kemi patur. Asnjëri nga ju, nuk iu bashkua Berishës në dorëheqjen e tij, por u turrët për të uzurpuar PD-në me trafik interesash dhe parash, që e dini mirë ku dhe si i keni marrë.Nga kryelëpirës të Berishës, u kthyet në kundërshtarët e tij më të rreptë. Kur nuk bletë dot demokratët, filluat të flirtoni me pushtetin, përveç Jozit. Cili është kontributi juaj në opozitë?! Çfarë informacionesh për keqeverisjen denoncuat, siç bën Berisha çdo ditë.Dhe kishit mundësi ta bënit, sepse e keni mbushur administratën me farë e fis tuajin, të grave dhe të dashnoreve, kapicë. Kur gjithë demokratët i sikterisën nga administrata, në mënyrë të paligjshme dhe u detyruan edhe të braktisin atdheun, të afërmit tuaj, vazhdojnë edhe sot pas 6 vjetësh të jenë në administratë dhe të bëjnë karrierë. Dhe ju rrini squkë dhe luftoni kundër kryetarit të PD-së. Kryetari nuk ju vuri në listën e deputetëve, siç nuk ka vu rreth 3000 kandidatë që u paraqitën nga strukturat.Kjo nuk është gjë e re për PD-në, risia qëndron vetëm për ju.Për ju, kjo është gjë e re dhe nuk po e suportoni dot.Por, për çdo legjislaturë, janë mijëra kandidat për deputet të PD-së, si ju, më të dobët se ju dhe shumë më të mirë se ju, që kryetari nuk i ka vu në listë, por ju vinte ju dhe ata nuk iknin nga PD, por bënin fushatë që ju të fitonit duke marrë përsipër dhe mbrojtur para elektoratit si të mirat tuaja, edhe palaçollëqet dhe paaftësitë tuaja. A po bën gabime kryetari sot ? - Shumë! ( sipas mendimit tim): Ka gabuar në listën e deputetëve, PD ka në gjirin e saj njerëz shumë më të zotët se pjesa më e madhe e listës që ka përzgjedhur Basha. Hajdeni, propozoni ju dhe gjithë demokratët modelin qoftë të Konservatorëve Anglez, qoftë të Partisë së Merkelit, Berluskonit apo një partie tjetër simotër dhe ta bëjmë model të PD. Modeli që përdori Basha është modeli që keni bërë ju, pa ju. Nuk ka bërë si duhet riorganizimin e PD-së dhe me atë çfarë bën, nuk do ta bëjë. Ai duhet të takojë demokratët në çdo cep të Shqipërisë, të gjithë, që të ‘90-tës dhe të bisedojë me ta, të ju kërkojë NDJESË, për gafat qeverisëse që janë bërë dhe të hyjë garant për mospërseritjen e tyre, duke demokratizuar PD-në. Të krijojë një front të vërtetë të DJATHTË, me çdo parti, shoqatë apo individ të djathtë në Shqipëri, për të rrëzuar komunistët. Ju ftoj të luftojmë komunistët dhe ta shpëtojmë Atdheun!

 
 
 

Comments


Liqeni Artificial i Tiranës, Tiranë, Albania

  • Facebook
  • Twitter
  • LinkedIn

©2017 by Globnews.Al. Proudly created with Wix.com

bottom of page