top of page

Prindërit: Menyja e re ushqimore është skandaloze

  • Writer: Glob News
    Glob News
  • Feb 24, 2018
  • 10 min read

Nga Lindita Bushgjokaj

Prindërit tregojnë shqetësimet e tyre për menynë e re në kopshte dhe çerdhe, tërshërën e përdorin të rriturit për dietë, fëmijët e refuzojnë. Ushqimet nuk kanë shije. Dietologia Blerina Bombaj mbron menynë e re dhe kërkon bashkëpunimin me prindërit

Ka dy javë që në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës është ndryshuar menyja ushqimore, e cila siç duket nga reagimet e deri tanishme nga prindër dhe fëmijë nuk është përqafuar sa duhet. Kjo insiativë e krijuar nga dietologia Blerina Bombaj, mendohet të ketë ardhur si rezultat i nevojës për të pakësuar nivelin e sheqernave dhe obezitetit te fëmijët. Në lidhje me menynë e re, reagimet e prindërve kanë qenë të ndryshme, pasi fëmijët e tyre kanë ardhur të uritur në shtëpi. Lidhur me situatën e krijuar, gazeta “Shekulli”, realizoi disa intervista me prindër në disa kopshte të qytetit, ku treguan se menyja, sidomos futja e tërshërës është cilësuar më shumë dietike dhe e pa logjikshme për moshën e këtyre fëmijëve.

Irena Sopi, tha për “Shekulli”-n, se menyja është skandal, pasi kombinimi i ushqimeve është pa shije dhe i pakonsumueshem jo vetëm për fëmijët, por as për të rriturit. Ajo e shpjegon menynë duke iu referuar përvojës që po kalon vjehrra e saj me këta fëmijë si punonjëse kuzhiniere në kopsht. Kjo meny skandaloze e krijuar nga dietologia Blerina Bombaj, i ka detyruar fëmijët t’i hedhin ushqimet në plehra, tha ajo. “Menyja e re, skandal fare. Në mëngjes kanë tërshërë me kos, ndërsa në drekë bizele, por edhe kjo skandal, lulelakrën e zier e përziejnë me hudhër brenda, të cilën fëmijët nuk e konsumojnë dot. Nuk e hanë të rriturit jo më fëmijët. Vezës i hedhin rigon dhe kripë, sepse duhet të ketë erëza dhe janë të mira thotë Blerina e famshme.

Vjehrra ime punon në kopsht dhe thotë se fëmijët e hedhin ushqimin në plehra, pasi nuk i duan. Unë kam frikë ta dërgoj fëmijën tim në kopsht. Menyja e mëparshme ka qenë shumë e mirë dhe fëmijët i hanin ushqimet, ndërsa tani e ndryshuan me mendimin se ka më shumë vlera ushqyese tërshëra”. Një tjetër shqetësim që ndan Sopi për “Shekulli”-n lidhet me përvojën e saj si psikologe, e cila mendon se fëmija duhet të konsumojë ushqimet që do dhe jo ato që duhet, prandaj menyja e vjetër me ushqime tradicionale, si; kosi dhe qumështi janë më me vlera ushqimore, sesa tërshëra pa shije e menysë së re, tha Sopi. “Unë kam mbaruar psikologji dhe fëmija duhet të konsumojë ushqimet që do të konsumojë dhe jo ato që duhet, ato që do ai dhe jo ato që dua unë. Fëmija përzgjedh të konsumojë supën, qumështin, i cili është i domosdoshëm për rritjen e tij. Unë dëgjova se një pediatër e kishte pyetur Blerinën, se pse nuk ka qumësht dhe kos në meny? Ajo kishte thënë: “I ka keku, kosin, qumështin dhe vezën”. Unë nuk e kuptoj, e di Blerina.

Menyja është skandaloze, ushqimet hidhen në plehra. Unë i thashë se ku i çon lulelakrat, se po të shikosh te faqja fëmijët e Tiranës në facebook, menyja serviret aq bukur, sa duket sikur ka ardhur viti i ri për ne të mëdhenjtë, jo për të vegjlit. Asnjë nga fëmijët nuk e merr lugën që të konsumojë groshën, e cila përmban fibra. Jam dakord për pjesën e groshës, por jo pa supën dhe ushqimet e tjera që mungojnë”. Prindërit e pyetur nga “Shekulli”, janë të shqetësuar nga prezenca e tërshërës në menynë e re, të cilën e kanë përdorur për tu dobësuar dhe nuk duhet të konsumohet nga fëmijët. Ervina Kryeziu, tha ndër të tjera, se mëngjesi i menysë së re, e cila ka në përbërje tërshëre dhe kos e shqetëson shumë, pasi fëmija nuk e konsumon dhe nuk di sesi të veprojë. “Tërshëra është dietike dhe e palogjikshme të konsumohet nga fëmijët. Unë e kam përdorur tërshërën për diete dhe është si kashtë. Më shqetëson kryesisht mëngjesi, sepse nuk e di a do t’i konsumojë fëmija”, tha ajo.

Ndërsa Adela, një tjetër prind e cila priste fëmijën te “kopshti 29”, ishte shumë e shqetësuar, pasi si pasojë e menysë së re vajza e saj nuk ka ngrënë gjithë këto ditë. Menyja e parë ishte më e mirë dhe tërshëra është e papranueshme për Adelën, ndërsa thekson nevojën që fëmijët kanë për tu mësuar me ushqimet e dietës së re, para se të bëhen ndryshime praktike, tha ajo. “Unë e kam fëmijën te “kopshti 29” dhe nuk jam e kënaqur me menynë e re, pasi nuk ka ngrënë gjithë këto ditë.

Ajo që më shqetëson më shumë është tërshëra, menyja e mëparshme ishte shumë më e mirë dhe nuk ishte e nevojshme të ndryshohej. Kur bëjnë ndryshime, duket të mësohen fëmijët para se të futet në praktikë si meny”. Frika e prindërve është e lidhur kryesisht me prezencën e tërshërës, ku shumë prindër konstatuan se është përdorur jo vetëm për dietë, por edhe nga kafshët, ndërsa tani e konsumojnë fëmijët, tregon Erjona Rrogotina për “Shekulli”n.”Unë po flas nga ato që kam lexuar, sepse fëmija im ende nuk e ka provuar. Për këtë tërshërën nuk jam dakord, madje mami më tha një ditë: “Tërshërën e kanë përdor në kohën tonë lopët, ndërsa tani e përdorin për fëmijët, nuk kuptoj”.

Suela Bija

Edukatore te “kopshti 42”

Ushqimet konsumohen pjesërisht nga fëmijët, por po bashkëpunojmë me prindërit

Suela Bija, edukatore e “kopshtit 42”, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se menyja e re është më e mirë, pasi ka synim që të zhduke problemet që kalojnë fëmijët me obezitetin dhe sheqernat. Këto kanë qenë më shumë evidente me menynë e vjetër, tha ajo. Ndërsa tregon se gjatë praktikës së punës në “kopshtin 42”, rruga “Nikolla Tupe”, Tiranë, ka pasur raste që ushqimi është refuzuar pjesërisht nga fëmijët, por për këtë situatë janë vënë në dijeni prindërit , të cilët janë shumë të shqetësuar kryesisht nga tërshëra dhe disa ushqime të tjera, për të cilat ju duhet kohë që të përshtaten, tha Bija.

Znj.Bija, çfarë përmban menyja e re sipas vakteve përkatëse?

Në mëngjes kos me banane dhe tërshërë ditën e hënë.

Konsumohet tërshëra nga fëmijët, pasi ka prindër që nuk e duan këtë si pjesë e konsumit të mëngjesit?

Ne jemi munduar që t’i bindim fëmijët që ta konsumojnë, por ngaqë është fillimi, duhet të mësohen. Në meny përfshihet gjithashtu; bukë thekre me vezë, rigon dhe vaj ulliri. Unë besoj te dietologët që e kanë zgjedhur këtë meny, pasi më përpara kishte më shumë sheqer në përbërjen e ushqimeve. Ditën e hënë kishin Sultjash(oriz me qumësht), në drekë pilaf dhe fasule, imagjino sesa është doza e sheqerit. Por është fillimi dhe është i vështirë. Shumica e fëmijëve nuk e konsumojnë tërshërën në shtëpi, kështu që ne po bashkëpunojmë dhe me prindërit.

Cili ka qenë reagimi i prindërve për ndryshimin e menysë ushqimore, pasi ka pasur ankesa se fëmijët nuk po ngopen me dietën e re?

Nëse fëmija nuk shkon i ngopur në shtëpi, do të thotë se e ka tretur ushqimin dhe kjo duhet të jetë në qendër të vëmendjes për prindërit. Fëmijët janë supëraktive dhe është stimuli i fëmijës që kërkon të ushqehet vazhdimisht.

Menyja e re është konsideruar më shumë dietike. Mendoni se është e tepruar për fëmijët e kësaj moshe përzgjedhja e ushqimeve me këtë qëllim?

Nuk mendoj, sepse menyja e mëparshme ka pasur shumë sheqer. Fëmija merr shumë kalori me dietën e re dhe kjo është gjë e mirë. Kemi supë pule me thjerrëza, perime me mish viçi në drekë, makarona dhe spinaq, të cilat konsumohen në drekë dhe serviren gjatë gjithë javës.

Është e vërtetë që po e tretin ushqimin fëmijët dhe si kanë reaguar prindërit?

Po, pjesërisht ka ndodhur. Problemi është te mungesa e përdorimit te tërshërës. Ne po mundohemi të bashkëpunojmë me prindërit, të cilëve ju kemi treguar që fëmija nuk ka ngrënë disa ushqime gjatë ditës dhe ata e kanë provuar t’i japin të njëjtat ushqime në shtëpi dhe atje e kanë ngrënë. Unë nuk i ushqej me zor, por konsultohem me prindërit. Është e vërtete që prindërit e kanë kundërshtuar, ndërsa fëmijët konsumojnë pjesërisht ushqimet, por është vetëm fillimi dhe duhet të mësohen.

Duke iu referuar reagimit të prindërve që e kundërshtojnë menynë apo fëmijët që tretin ushqimin, keni menduar të kërkoni të bëhet një ndërhyrje për të ndryshuar menynë?

Ne e kemi diskutuar me njëri-tjetrin dhe prindërit kanë dhënë sugjerimet e tyre. Kanë thënë: “Veza nuk do ishte ideale për çdo kohë”, problemi është tërshëra sepse nuk janë mësuar fëmijët. Kemi bashkëpunuar me prindërit, pasi nëse nuk ha fëmija jam unë e para që e përjetoj shumë keq.

Cili ka qenë shqetësimi i prindërve?

Ndoshta kanë të drejtë, pasi e krahasojnë me menynë e vjetër më të cilën janë mësuar. Unë mendoj se kjo meny është më e mirë, pasi fëmijët ishin të rrezikuar nga diabeti dhe obeziteti. Unë e di që prindërit ndihen keq dhe janë të shqetësuar, por kjo meny nuk ndryshon shumë me privatin.

Blerina Bombaj

Menyja është bazuar në praktika shkencore, do të merren vendime të tjera në përshtatje me fëmijët

Dietologia Blerina Bombaj, tregon rëndësinë e menysë së re ushqimore, prindërit nuk janë kompetent për të perceptuar rëndësinë e dietës, ka shumë keqkuptime

Nisur nga shqetësimi që treguan prindërit për menynë e re ushqimore, e cila ka dy javë që praktikohet në kopshte, gazeta “Shekulli” intervistoi krijuesen e dietës së re Blerina Bombaj. Në këtë interviste, dietologia e QSUT, tha se ndryshimi i menysë ka ardhur nga ankesat e prindërve, të cilat janë konceptuar nga institucionet e kopshteve dhe iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë që ka në fokus fëmijët për vitin 2018. Nga një bashkëpunim i ngushtë me institucionet përkatëse Bombaj, tha se shqetësimet e prindërve nuk kanë në fokus fëmijën, dhe shumë prej tyre janë të keqinformuar dhe aspak kompetent për të perceptuar rëndësinë e dietës ushqimore. Ndërsa thekson, se nëse fëmijët tregojnë sjellje të papëlqyeshme për ushqimet do të merren vendime të tjera, tha Bombaj.

Znj.Bombaj, ku jeni mbështetur për realizimin e menysë së re ushqimore në çerdhe dhe kopshte?

Ideja ka ardhur nga ankesat e prindërve për ish-ushqimin që ekzistonte. Kërkesat tyre janë perceptuar nga institucionet përkatëse të kopshteve si nevojë për tu ndryshuar. Kjo insiative e tyre shkonte përshtat me instiativen e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ka në fokus fëmijët për vitin 2018-të, dhe ishte dakord që të ngrihej një grup punë për të ndryshuar ushqimin. Ky grup i punës u drejtua në ISHP dhe në Qendrën Spitalore Universitare ku bëj pjesë dhe unë si dietologe në shtet. Menynë e hartova unë, ndërsa të tjerët do ta shqyrtojnë dhe do të japin opinionet e tyre, të cilët janë specialist në institucionet e institutit të shëndetit publik. Nuk mund të thuash se një objekt mund ta bëjnë pesë arkitekt, por një është arkitekti, është inxhinieri i ndërtimit që e ndërton, janë marangozët dhe një grup pune.

Prindërit janë të shqetësuar kryesisht për mëngjesin, e cila përmban tërshërë me kos. Ju duket një zgjedhje e mirë për mëngjes tërshëra?

Prindërit nuk janë të gjithë aq kompetent dhe nuk kanë aq nivel, sa ta perceptojnë siç duhet. Ne kemi për detyrë që t’i ndihmojmë të kuptojnë se kjo është në të mirën e fëmijëve të tyre. Vërtetë mund të ketë prindër të shqetësuar, por ky shqetësim mund të jetë ngritur nga interesa politike apo disa mund të kenë interesa se pse iku çokokremi, por nuk kanë pasur në fokus fëmijën. Janë ushqyer me interesa të cilat janë absolutisht larg fokusit të fëmijëve dhe këta prindër që janë të shqetësuar është mirë që mos të bëhen benzinë për zjarrin, por të punohet më shumë për diçka që është futur për qëllime të mira. Është një mungesë informacioni, keqinformim dhe u abuzua tmerrësisht shumë sa prindërit janë në kaos.

Mëngjesi përfshin tërshërën, por kjo është konsideruar dietike dhe që përdoret nga të rriturit për këtë qëllim. Cili është funksioni i saj te fëmijët?

Aty bëhet një llogaritje në bazë të rekomandimeve energjetike kalorike, për fëmijët e grupmoshave të caktuara dhe çdo kalorant përcaktohet nga organizatat kombëtare të ushqimit, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, janë një sërë organizatash që i ndjek gjithë bota për rekomandimet dhe nuk i përcaktojmë shifrat vetë, i kemi të bazuara në rekomandime shkencore. Ky kaloraz është i përcaktuar dhe garanton rritjen dhe zhvillimin optimal të fëmijës, i cili është 2/3 e ushqimit, sepse fëmija duhet të konsumojë gjashtë vakte në ditë dhe nuk i konsumon të gjitha në kopsht, por 1/3 e vakteve i konsumon në shtëpi, kështu që askush nuk mund të thotë se është dietike, sepse është kalorazi që përcakton OBSH dhe gjithë organizatat e tjera. Dikush mund ta thotë se është dietike, pasi është mësuar me një sasi ushqimi më përpara, e cila ka qenë e tepërt dhe gjithmonë hidhej poshtë, nuk e konsumonte fëmija gjithë atë sasi. Nuk është sasia ajo që siguron rritjen e fëmijës, por duhet dhe kompozimi që ka brenda sasisë.

Prindërit thonë se fëmijët e tyre shkojnë të uritur në shtëpi. Si e shpjegoni këtë fakt?

Kur shkon një fëmijë për herë të parë në kopsht, i duhet një periudhe përshtatje deri në dy javë, ndërsa ne nuk i kemi bërë akoma dy javë. Është akoma shpejt për të konkluduar, dhe së dyti nuk ekziston një meny në botë që mund të hanë 7 mijë fëmijë njësoj. Siç ka qenë më përpara plot fëmijë që nuk e kanë ngrënë ushqimin, po ashtu ka edhe tani, dhe do të ketë gjithmonë. Kopshtit i takon që t’i ofrojë fëmijës ushqimin që i duhet dhe në sasinë e duhur, pasi as në shtëpi nuk je i sigurte që do ta konsumojë ushqimin fëmija, prandaj ky nuk është një shqetësim. Edhe udhëzimet shkencore nuk thonë kurrë se meqenëse një fëmijë nuk e ha ushqimin e shëndetshëm, jepi një çokollatë apo atë që ha.

Znj.Bombaj, jeni me parimin që fëmija duhet të konsumojë ushqimin që preferon apo ushqimin që duhet të hajë?

Unë ndjek shkencën, nuk flas me bindjet e mia. Shkenca nxjerr konkluzione që fëmijës i duhet ofruar ushqimi që i bën mirë, sigurisht i kuruar dhe me shije.

Pikërisht, te shija e ushqimit që ka dieta e re kanë më shumë ankesa prindërit (veza e përzier me rigon dhe kripë apo lulelakra e përzier me hudhër). Mendoni se keni bërë kombinimin e pëlqyeshëm për fëmijët?

Ka shumë keqkuptime, sepse lulelakra ka një hudhër për 10 fëmijë, e cila shërben për t’i dhënë shije, por kjo shoqërohet me patate dhe qumësht, e cila bëhet shumë e shijshme. Ne e kemi provuar me qindra herë atë lloj kureje, e cila nuk është me lulelakër dhe hudhër, sepse i bie që të jetë gjysmë kile lulelakër dhe gjysmë kile hudhër. Hudhra është vetëm për aromë.

Duke iu referuar reagimeve të prindërve dhe sjelljes që kanë treguar fëmijët kundrejt ushqimit, e gjykoni të arsyeshme për të bërë një ndërhyrje në të mirën e përbashkët?

Sigurisht që do të ketë gjëra që do mësojmë nga praktika, sepse ndryshe funksionon në teori dhe komplet ndryshe në praktike. Ne nuk mund të parashikojmë kufizimin e kuzhinave të kopshteve se çfarë mund të ofrojnë, as kuzhinieret sesa të afta janë, prandaj nëse fëmijët nuk e pëlqejnë dietën e re, ne do ta ndryshojmë sipas dëshirës së tyre, patjetër që do t’i përshtatim disa gjëra. Në qoftëse janë 1 mijë veta në 7 mijë veta apo 500 veta në 7000 fëmijë, do ndërmarrim vendime të tjera, por deri tani ekziston një përqindje shumë ulët e rasteve që nuk fusin asgjë në gojë. Prindërit nuk duhet ta bëjnë kaq alarmante, sepse gjithmonë ka pasur fëmijë që nuk hanë.

 
 
 

Comments


Liqeni Artificial i Tiranës, Tiranë, Albania

  • Facebook
  • Twitter
  • LinkedIn

©2017 by Globnews.Al. Proudly created with Wix.com

bottom of page