Vorë / I heqin 48 mijë lekësh-in, familja ha bukë e qepë
- Glob News
- Feb 23, 2018
- 2 min read
Fiks Fare

Mjerimi është ulur këmbëkryq në familjen Vrioni në Vorë, pas ndërprerjes së ndihmës ekonomike. Fiks Fare sjell pamjet e dy motrave 4 dhe 10 vjeç që ushqehen me bukë thatë, pasi nuk kanë asgjë tjetër për drekë. Realiteti Migjenian vjen në ditët e sotme më i trishtë se kurrë. Familja me 4 anëtarë prej muajit janar i është ndërprenë ndihma ekonomike të cilën e merrte prej 4 vitesh. Ndërsa prej 6 muajsh jetojnë në mungesë të energjisë elektrike, pasi nuk arrijnë dot ta paguajnë. "Me 48 mijë lekë të vjetra arrija të merrja ndonjë kile qumësht për vajzat. Me to i ushqeja. Nuk e hanin bukën thatë. Por në janar ma ndërprenë, më thanë se nuk i plotësoj pikët. Unë nuk e di çfarë pikësh kërkojnë" shprehet Sabri Vrioni. Në tavolinë ka vetëm bukë dhe qepë të njoma. Iljana, vajza 10 vjeçare tregon se këto janë ushqimet më të shpeshta që gjen në tavolinë. "Nuk kam blerë asnjëherë rroba të reja. M’i falin fëmijët e tezeve. Unë kam dëshirë te blej një kostum sportiv për në shkollë. Tuta, bluzë, atletë të reja" shprehet 10 vjeçarja. Gazetarët e Fiks Fare u interesuan edhe pranë Bashkisë Vorë. Inspektorët e ndihmës ekonomike shprehen se e njohin mirë gjendjen e vështirë të familjes Vrioni, por dalja e saj nga skema ka ardhur si pasojë e mos plotësimit të pikëve. "Sabri Vrioni nuk ka marrë pikët e mjaftueshme. Është shumë në gjendje të vështirë, është skandal. Deri dje i ka pas plotësuar pikët, sot nuk i plotësoi. As vetë nuk i dimë këto pikët. Ato i di Ministria, Drejtoria, ato i heqin. Kemi pas 333 familje që merrnin ndihmë ekonomike, sot janë 150 më pak"-pohon inspektori.
Comments