top of page

Ministrja e Ramës largon nga Shqipëria të arrestuarin e vetëm të dosjes Tahiri

  • Writer: Glob News
    Glob News
  • Jan 26, 2018
  • 4 min read

Ministria e Drejtësisë lejoi dje ekstradimin drejt Italisë të financierit të bandës së Habilajve, Nezar Seiti, ndërkohë që për të kishte një masë ndalimi për llogari të Krimeve të Rënda. Nezar Seiti u përcoll rreth orës 11:40 të mesditës në Rinas, nga dy agjentë të Interpolit. Për ekstradimin drejt Italisë, policia shqiptare i citoi gazetarëve disa nene të Kodit Penal italian për të cilat Seiti do të përgjigjet në Itali, të shoqëruara me sqarimin se Nezar Seiti u është dorëzuar në Rinas autoriteteve italiane në bazë të urdhërit nga Ministria e Drejtësisë. “Ministria e Drejtësisë, ka urdhëruar dorëzimin e personit tek autoritetet italiane brenda datës 30.01.2018”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. Me këtë veprim qeveria më në fund “hoqi qafe” krahun e djathtë të Moisi Habilajt, i vetmi që ishte arrestuar nga dosja që implikon Saimir Tahirin në trafik droge. Që nga dita që u arrestua, Nezar Seiti kishte këmbëngulur për ekstradimin drejt Italisë, por ishte mbajtur me disa vendime gjykate pas përpjekjeve të prokurorëve të Krimeve të Rënda. Edhe në momentin e ekstradimit, për Nezar Seitin ekzistonte masa e arrestit me “burg pa afat” nga Gjykata, por duket se Ministria e Drejtësisë e ka shpërfillur totalisht. Me firmën e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj është urdhëruar ekstradimi drejt Italisë dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka bërë menjëherë ekzekutimin e urdhrit. Gjonaj ka shkelur vendimet e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit të Krimeve të Rënda, si dhe një vendim të Gjykatës së Lartë, të cilat kanë vendosur arrest me burg për Seitin. Duket se ekstradimi i 41-vjeçarit nga Gjormi i Vlorës është bërë pa dijeninë e avokatit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. “Si Prokuroria e Krimeve të Rënda ashtu edhe në Prokurorinë e Përgjithshme thonë se nuk e kuptojnë mbi ç’baza ligjore është kryer ky ekstradim, në një kohë kur ndaj Seitit kishte një masë sigurimi arrest me burg”, raportoi “Top Channel”. Me siguri që sapo ka zbritur në Itali, Nezar Seiti është mikpritur nga hetuesit italianë. Dosja e banditëve që trafikonin tonelata me kanabis drejt brigjeve të Italisë bëhet më e plotë me “krahun e djathtë të Moisi Habilajt”. Nezar Seiti u konsiderua si njeriu që kishte për detyrë organizimin e transportit detar të drogës dhe ndarjen e parave që fitohej nga shitja e saj. Në rolin e “financierit” të bandës, ai ishte përgjuar nga Antimafia italiane dhe përgjimet u dërguan edhe në Shqipëri. Për prokurorët shqiptarë, Seitaj ishte një i burgosur i rëndësishëm, pjesë e dosjes ku është përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Si duhet lexuar “lëshimi” që iu bë Nezar Seitit? Duke qenë se kemi të bëjmë me një vepër penale që ka ndodhur në të dyja anët e kufirit, ligji supozohet të ndëshkojë njësoj trafikantët e të dy vendeve. Hetimet duhet të jenë komplementare. Për këtë arsye, italianët kanë sjellë në Shqipëri dosjen me përgjimet dhe Nezar Seiti ishte i vetmi i arrestuar nga pala jonë. Por kur drejtësia italiane ka 7 të arrestuar për këtë çështje, pa llogaritur Nezar Seitin, në Shqipëri qelitë janë bosh. Bilanci i Prokurorisë së Katanias përballë asaj të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, për të njëjtën vepër penale, është katastrofik për disa arsye. Prokurorët shqiptarë u penguan nga Partia Socialiste për arrestimin e Saimir Tahirit. 2) Dështoi aksioni për arrestimin e ish-shefave të policisë, të akuzuar për trafik droge. 3) Orest Sota u lirua nga burgu, pasi u kap me 863 mijë euro dhe patentat e Saimir Tahirit. Tani me firmën e Etilda Gjonajt dhe pa llogaritur as prokurori dhe as gjykata “hiqet qafe” edhe i arrestuari i vetëm i çështjes, Nezar Seiti. Dosja e Tahirit po shkon drejt shpërbërjes dhe goditja e Etilda Gjonajt ka qenë e fundit. Tani është kuptuar se edhe gjykatësit kanë ndërruar mendje, që kur i kthyen ish-ministrit të Brendshëm pasaportën dhe kartën e identitetit. Nezar Seiti konsiderohet si një nga njerëzit kryesorë të rrjetit të Habilaj, i cili merrej me organizimin e trafikut të kanabisit dhe financat e grupit. Për këto arsye, Prokuroria e Katanias lëshoi një urdhër arresti në muajin tetor, ku e kërkonte për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge. 41-vjeçari u ndalua në datën 20 tetor në Vlorë, gjatë një aksioni antidrogë ku në fshatin Babicë u sekuestruan rreth 4 ton kanabis. Autoritetet italiane kërkuan ekstradimin e tij, duke qenë se ai është një nga njerëzit kyç të klanit ‘Habilaj’. Në 23 dhjetor 2017, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e autoriteteve italiane, ndërsa këtë të enjte, ai u largua nga Shqipëria nga Aeroporti i Rinasit. Sipas prokurorëve, në përgjimet e palës italiane del se Nezar Seiti komunikonte vazhdimisht me Moisi Habilajn dhe diskutonte me të për pazaret e drogës. Ndërsa 41-vjeçari do të vazhdojë të jetë në hetim edhe Prokuroria për Krimet e Rënda, e cila po heton lidhjen e grupit të Habilajve me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Seiti ka listëpagesat e politikanëve të bandës së Habilajve

Nazer Seiti ishte arkivi i organizatës kriminale të Habilajve, njeriu që dinte inventarin e parave dhe pagesave të bëra nga trafiku i drogës. Në memorjen e tij janë listëpagesat për policë, prokurorë, gjyqtarë e politikanë, infrastruktura mbështetese e bandës së trafikut të drogës. Seiti i bashkohet kështu të arrestuarve në Katania për t’u hetuar e gjykuar në Itali. Ndonëse vendimi është marrë shumë kohë më parë, ekstradimi është bërë me emergjencë ditën e djeshme. Gjykata për Krime të Renda, ndërkohë ka marrë vendim për zgjatje të hetimit për tre muaj edhe për Seitajn ashtu si për Tahirin, me të cilin janë në të njëjtin status penal. Tashmë pesha e dosjes është në Katania dhe jo në Tiranë, ku Krimet e Rënda janë holluar nga mundësitë dhe provat. Pak ditë më parë Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme ofroi mbështetje Krimeve të Rënda gjatë takimit me kreun e saj, Besim Hajdarmataj. Mesa duket kjo mbështetje kryeprokurores ishte një hipokrizi, pasi Marku ishte në dijeni të ekstradimit të Seitit dhe në këtë mënyrë hetimet do të dobësosheshin shumë. Dosja “Tahiri-Habilaj” po shkon drejt shkërmoqjes në Shqipëri, por jo në Itali. Ndoshta Seitaj do të kontribuojë për hetimin në Itali, duke zbardhur aktivitetin e bandës në Shqipëri.

 
 
 

Comments


Liqeni Artificial i Tiranës, Tiranë, Albania

  • Facebook
  • Twitter
  • LinkedIn

©2017 by Globnews.Al. Proudly created with Wix.com

bottom of page