Koço Kokëdhima: Pablo Eskobari do e kishte zili Timonierin e Rilindjes!
- Glob News
- Jan 9, 2018
- 2 min read
Koço Kokëdhima
·

Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, qeveria liroi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. ZGJIDHJA e përshëndet këtë vendim, megjithëse ai është shumë i vonuar dhe me motivacion të gabuar. Ky vendim nuk e trondit aspak kartelin e drogës të instaluar në vend nga Rilindja. Haki Çako dhe gjithë zinxhiri komandues i Policisë së Shtetit duhet të kishin ikur nga detyra dhe të kishin shkuar përpara drejtësisë mëse një deri në dy vite më parë, kur u vunë në shërbim të planit ogurzi të Kryeministrit për të kanabizuar vendin, nën mbrojtjen dhe ndihmën e pakursyer si ortake në biznes të policisë së shtetit. Rama ideoi, projektoi, implementoi dhe udhëhoqi planin për kanabizimin e Shqipërisë. Pablo Eskobari do ta kishte zili këtë perandori të drogës që ngriti Timonieri i Rilindjes! Implikimi kriminal i drejtuesve të policisë në trafikun e drogës e kriminalizoi gjithë trupën policore, duke e bërë atë palë dhe shërbëtore të trafikantëve. Ajo u dorëzua te krimi i organizuar që zaptoi vendin, duke komanduar gjithçka dhe duke mbjellë terror. Situata e rëndë e sigurisë është pasojë e atij implikimi kriminal të strukturave shtetërore dhe kjo bën përgjegjës më tepër se ish-ministrin e Brendshëm, Haki Çakon, drejtorët, apo shefat e komisariateve, kryeministrin që u bë presidenti i kartelit të drogës, duke rrënuar ekonominë dhe imazhin e vendit. Reportazhi i revistës britanike “The Times”, më i fundit ndër dhjetra artikuj kushtuar kriminalizimit të vendit nga Rilindja nga mediat më të mëdha të botës, tregon se nuk mund të ketë kthesë në Shqipëri, pa largimin e kryeministrit të drogës. Zëvendësimi me një tjetër zyrtar të përfolur për lidhje me strukturën që u vu në shërbim të trafikantëve, është sinjali më i fortë se presidenti i kartelit të drogës nuk ka ndërmend ta dorëzojë biznesin e tij që ngriti në ortakëri me kriminelët. ZGJIDHJA përsërit se vetëm largimi i tij nga drejtimi i qeverisë do të mundësojë një spastrim të thellë dhe real të Policisë së Shtetit, vendosjen e dinjitetit të saj dhe të sundimit të ligjit në vend. #ZgjidhjaPërSigurinë
Comments