Lirohet “Peshku” 863 mijë euro
- Glob News
- Jan 5, 2018
- 4 min read
Tre javë pas marrjes së Prokurorisë së Përgjithshme, Edi Rama liroi dje nga burgu, Orest Sotën, i cili u arrestua nga policia pasi ju gjetën 863 mijë euro para kesh dhe dy patentat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Dje, me nisjen zyrtare të punës pas festave, Rama mezi ka pritur kur menjëherë me urdhër të tij, Apeli i Krimeve të Rënda ka ndryshuar masën e sigurisë për biznesmenin Orest Sota, nga “arrest me burg” në “liri me garanci pasurore”. Lirimi i Sotës dëshmon për kontrollin tërësisht të Ramës ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe nisjen gjithashtu të zhdukjes së të gjithave provave dhe dosjeve që lidhin Ramën me narkotrafikun. Rama e ka nisur me dosjen më të ethshme atë të Saimir Tahirit, provat për të cilin mbi trafikun shtetëror të drogës janë voluminoze. Dje, Rama bëri hapin e parë në nisjen e zhdukjes së këtyre provave. Duke liruar si fillim Orest Sotën, një prej pikave kyçe të provave që dëshmonin lidhjet e qeverisë Rama me trafikun e drogës. Liria e Sotës, vjen si një vendim i beftë në një kohë, kur Prokuroria para emërimit të Arta Markut kishte dyshime të forta se paratë e gjetura në makinën e Sotës i përkisnin ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri. Gjykata e Apelit ka vendosur lirimin nga paraburgimi të Orest Sotës me një garanci pasurore prej 5 milionë lekë dhe detyrim paraqitje. Në nëntor, Prokuroria kërkoi arrest me burg për 25-vjeçarin në makinën e të cilit në datën 1 nëntor Policia e Elbasanit gjeti 863 mijë euro dhe dy patenta mjetesh lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Krimet e Rënda kërkuan nga ana e tyre që të cilësohej si i ligjshëm ndalimi i të riut për akuzën e pastrimit të parave. Sipas grupit hetimor, kishte dyshime se Sota nuk justifikon paratë dhe kishte dyshime se janë produkt i aktivitetit kriminal. Orest Sota u la në burg në 4 nëntor nga Gjykata e Elbasanit për akuzat e kundërshtimit të forcave të policisë, drejtim pa leje të mjetit, fshehje e të ardhurave dhe pastrim parash. Por duke qenë se në makinën e 25-vjeçarit u gjetën patenat e ish-ministrit Tahiri, dosja iu bashkëngjit çështjes Tahiri-Habilaj, e cila iu kalua për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila vendosi dje lirimin e Sotës.
Në dosjen e Prokurorisë lëvizjet e Orest Sotës me makinën e Tahirit
Janë disa prova të forta të nxjerra nga vetë Prokuroria në lidhje me arsyet që çuan në kërkesën për lënien në burg të Orest Sotës. Kërkesë kjo e kthyer përmbys dje nga Krimet e Rënda. Prova më e fortë, krahas parave dhe patentave të sekuestruara në makinë është ajo e lëvizjeve të Orest Sotës me automjetin e Ministrisë së Brendshme gjatë kohës që Saimir Tahiri ishte ministër. Biznesmeni Orest Sota ka lëvizur me makinën e Ministrisë së Brendshme jashtë vendit nga pika e Muriqanit drejt Malit të Zi, fakt i cili pretendohet nga Prokuroria në argumentet e dërguara Gjykatës me kërkesën për bllokimin e pasaportës së ish-ministrit. Në argumentet e Prokurorisë theksohet se më datë 24.02.2017, ora 08:05 Orest Sota doli nga Shqipëria nëpërmjet pikës së Muriqanit me automjetin me targa MB 279 AA, rezultuar në inventarin e mjeteve të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që me këtë mjet, sipas Prokurorisë ka disa hyrje-dalje Gentian Ceka, i cili është shoferi i Tahirit. Në një tjetër provë për lidhjen mes biznesmenit dhe ish-ministrit, Prokuroria deklaron se në datë 07.07.2017 Saimir Tahiri doli nga Shqipëria, nëpërmjet Muriqanit me automjetin e Ardit Sotës, vëllait të Orest Sotës dhe hyri në datë 09.07.2017 me automjetin në emër të Shoqërisë “IKONA”, me pronar Lefter Sota, babain e Orest Sotës.
Paratë dhe patentat në makinën e Sotës, provat që fundosën Tahirin
Policia e Elbasanit ka ndaluar më 1 nëntor 25-vjeçarin Orest Sota, që kishte në makinë 863 mijë euro dhe dy leje drejtimi për anije 20 dhe 100 ton të Saimir Tahirit. Me urdhër të Edi Ramës, këto të dhëna u fshehën në komunikatën e policisë. Vetëm pas tre ditësh, dhe pas denoncimit të kryetarit të opozitës, policia u detyrua të pranojë publikisht shumën prej 863 mijë euro, bashkë me dy patentat e lundrimit të Saimir Tahirit. 25-vjeçari Orest Sota ka deklaruar se 863 mijë euro i duheshin për të blerë hekur tek Kurum. Por ky version ka rënë poshtë, sepse Kurum nuk pranon para kesh, e në veçanti jo për sasi të tilla, që do të blenin të paktën 70 kamionë të mëdhenj me hekur. Ndërkohë, kompania e 25-vjeçarit Sota dhe e babait të tij, nuk i justifikojnë me dokumenta këto para. Në lidhje me këtë skandal dhe këto të dhëna PD ka ngritur dyshimet se të kujt janë 863 mijë euro? Dhe se pse Edi Rama, Fatmir Xhafa dhe Haki Çako urdhëruan policinë t’i fshehë të dhënat nga komunikata? Të gjitha rrethanat tregojnë se, këto para i përkasin të njëjtit person që i përkasin edhe patentat e lundrimit. Janë të Saimir Tahirit. 863 mijë eurot dhe patentat e lundrimit, janë pikërisht provat që kërkon drejtësia që faktojnë implikimin në trafik droge të Saimir Tahirit.

Comments