Tahiri i tregon muskujt Lali Erit, darkon me krerët e FRESSH pasi ‘babagjyshi’ Rama i dhuroi pasapor
- Glob News
- Dec 29, 2017
- 2 min read
I zhytur dhe i përlyer në llumin e drogës aq keq sa edhe vetë kryeministri Edi Rama, ish-beniamini i tij Saimir Tahiri po i tregon shefit se është një kockë më e fortë seç e mendonte kur donte ta bënte kurban për hir të “drejtësisë”. Tahiri i lidhur fort pas milionave të drogës së Habilajve ka fituar një vëmendje të madhe mediatike dhe Rama me hir e pahir, po e katapulton në publik si një triumfator, duke i rritur pikë në sytë e socialistëve. Fiks në të njëjtën kohë kur Erion Veliaj, trashëgimtari i vetëshpallur i Edvinit në krye të PS-së i dha formë strategjisë së tij për të kalëruar uzurpimin e kryetarllëkut në frontin e mazhorancës, hija e Tahirit u rishfaq në horizont. I përfolur si kundërshtari i vetëm i Lali Erit ‘punëtor’ për fronin në PS, Tahiri u mendua se falimentoi politikisht kur shpërtheu skandali me dosjen voluminoze të Katanias, por presioni ndaj Ramës me çështjen e kanabisit, dosjen e Olsit dhe Xibrakës duket se ka sjellë frytet e veta. Ditën e djeshme ish-ministri i Brendshëm, që vendosi policinë në shërbim të narkotrafikut sfumoi Veliajn dhe shkrimet e tij të paguara në mediat ndërkombëtare, duke fituar vëmendje me një darkë për fundvit që kishte organizuar me krerët e FRESSH për qarkun e Tiranës. Pavarësisht se është zhveshur nga të gjitha funksionet në Partisë Socialiste, ish-ministri kishte rreshtuar në tryezë kryetarët e njësive të FRESSH për kryeqytetin dhe përkrah tij qëndronte Artur Micko, kreu i FRESSH për qarkun e Tiranës. Tahiri ishte kujdesur që fotoja e ‘grupit’ të dilte edhe në rrjetet sociale, në mënyrë që mesazhi për betejë t’i shkonte qartë dhe pastër Lali Erit, ndërsa ‘muskujt’ dhe forcën e tij ta shihte si kërcënim dhe Edi Rama. Darka ishte organizuar në të njëjtën ditë që Tahiri i drogës dhe policisë së krimit doli si triumfator nga gjykata me pasaportën në dorë, të cilën e mori si dhuratë nga Edvini dhe kryeprokurorja e tij politike. Ajo vjen edhe si kundërpërgjigje për eventin e një nate më parë të organizuar nga kryebashkiaku i Tiranës me socialistët e Tiranës, ku natyrisht mungoi Tahiri. E vërteta në këtë mes është se, Ramës dhe Partisë Socialiste po i kthehet në bumerang mbrojtja e detyrueshme me fuqinë e kartonit për Tahirin, që bëri të mundur pengimin e drejtësisë për ta rrasur në qeli bashkëpunëtorin e Habiljave. Karantina politike ku ata e futën nuk po jep asnjë fryt, sepse Tahiri po reagon duke dhënë shenjat se nuk është dorëzuar, por ka një plan dhe baza e tij duket se është rinia e PS-së së Tiranës, që ndryshe nga Veliaj ai e ka pas vetes. Të dy ata duan të hanë “kokën” e kryetarit të tyre dhe si huta që nuhatin kërmat politike po luftojnë në fronte të ndryshme për t’i dhënë formë garës, që pritet të shkatërrojë nga brenda kalanë “rilindase” të krimit dhe drogës që ka ngritur Edi Rama.

Comments