top of page

Zoti Lu, Rama votoi kundër presidentit dhe atdheut tënd!

  • Writer: Glob News
    Glob News
  • Dec 23, 2017
  • 3 min read

Zoti ambasador, vota e Edi Ramës është votë kundër atdheut tënd dhe të mos e evidentosh këtë, është jo veç një goditje ndaj opinionit publik në Shqipëri e në Kosovë, i cili është i shokuar nga votimi, por edhe një ndihmë që i jepni antiamerikanizmit që po shfaqet si një opinion i paguar në hapësirat rajonale. Zgjedhja për të komentuar duke mos komentuar rolin antiamerikan të votës së Shqipërisë, është zgjedhja më fatkeqe dhe kjo zgjedhje do të mbahet mend gjatë. Do të mbahet mend gjatë vendimi i një ambasadori amerikan, i cili nuk dënon besëprerjen që i bëhet atdheut dhe presidentit që drejton atdheun e tij, për hir të një kryeministri që është në vështirësi, për shkak të pazareve të tij antiamerikane dhe filoruse

Ambasada e SHBA në Tiranë nxori dje një deklaratë lidhur me rezolutën e OKB-së që dënonte vendimin e SHBA për zhvendosjen e ambasadës së vet në Jeruzalem, por në tekstin e shkurtër s’kishte asnjë referencë për votën e paprecedentë të Shqipërisë, edhe pse prej dy ditësh opinioni publik merret vetëm me këtë çështje. Mund të marrim me mend se deklarata mundohet të hedhë ujë mbi debatin e nxehtë, duke e klasifikuar qëndrimin amerikan si një “road map” të paqes së ardhshme në Lindjen e Mesme, por në të duhet të ishte se s’bën edhe (zh)vlerësimi për qëndrimin e Shqipërisë. Ishte krejt e papërshtatshme që publiku shqiptar t’i nxirrte vlerësimet nga faqja e facebook-ut e ambasadores amerikane në OKB apo nga një deklaratë e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, dhe jo nga një reagim i ambasadorit Lu, i cili nxori një reagim, që për interesin e publikut shqiptar, doli që nuk ishte fare reagim.

Faktet janë fakte dhe vota e Edi Ramës në OKB ishte “pro” një rezolute që ishte fund e krye antiamerikane. Për këtë votë kundër SHBA dhe kundër presidentit të SHBA, ambasadori Donald Lu s’kishte asgjë për t’i kumtuar publikut shqiptar. Në vend të qëndrimit, nga deklarata e ambasadorit Lu u duk se s’kishte asgjë për t’u shqetësuar dhe tonet triumfaliste të sponsorizuesve të rezolutës antiamerikane, kryesisht të Erdoganit, u lanë të lëshoheshin në eter, bashkë me komentet se ndikimi i tij tek Edi Rama është i pakundërshtueshëm dhe vendimtar.

Zoti ambasador, vota e Shqipërisë në OKB ishte një votë kundër përpjekjeve të SHBA-së, për të ndikuar në një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme, si fuqi globale që është, dhe rrjedhimisht ishte edhe për përjashtimin e SHBA-së si negociator paqeje. Palestinezi Mahmud Abas e tha qartë se tashmë s’do të bisedonte më me amerikanët, kurse Putini dhe Erdogani folën në telefon që të paraqisnin një platformë të tyren dypalëshe për paqen në Lindjen e Mesme. Për këto zhvillime ka dhënë votën “pro” Edi Rama në OKB dhe për përjashtimin e SHBA nga këto bisedime.

Zoti ambasador, vota e Edi Ramës po na shitet nëpër Tiranë si një votë personale kundër presidentit Trump dhe jo kundër SHBA, por nga deklarata juaj që injoron ekzistencën e kësaj vote, shohim se ju keni shqetësim për tentativat për izolimin amerikan, kur thoni se “Deklarata e Presidentit afirmoi realitetin e tanishëm dhe historik të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit”. Më tej ju vijoni të shprehni shqetësimin tuaj për votimin kundër, kur thoni “Shtetet e Bashkuara pranuan të vërtetën e thjeshtë se Jeruzalemi është qendra e legjislaturës, kryeministrit dhe gjykatës së lartë të Izraelit. Ne do të vazhdojmë të punojmë për paqen. Një proces që shpresojmë do të ofrojë rezultatin më të mirë si për popullin izraelit ashtu dhe atë të palestinez”. Deklarata i drejtohet publikut shqiptar por nuk thoni se për këto shqetësime, një “kontribut” të neveritshëm ka dhënë edhe kryeministri i Shqipërisë.

Zoti Lu, vota e Edi Ramës është votë kundër atdheut tënd dhe të mos e evidentosh këtë, është jo veç një goditje ndaj opinionit publik në Shqipëri e në Kosovë, i cili është i shokuar nga votimi, por edhe një asist që i jepni antiamerikanizmit që po shfaqet si një opinion i paguar në hapësirat rajonale.

Ambasadori i SHBA mund të kishte zgjedhur të mos e komentonte fare votimin për rezolutën antiamerikane në OKB, por zgjedhja për të komentuar duke mos komentuar rolin antiamerikan të votës së Shqipërisë, është zgjedhja më fatkeqe dhe kjo zgjedhje do të mbahet mend gjatë. Do të mbahet mend gjatë vendimi i një ambasadori amerikan, i cili nuk dënon besëprerjen që i bëhet atdheut dhe presidentit që drejton atdheun e tij. Do të mbahet mend gjatë një ambasador që nuk shqetësohet për fyerjen që i bëhet presidentit të tij, por nxjerr një deklaratë që përpiqet t’i hedhë ujë një situate të nxehtë në të cilën është futur kryeministri, në sajë të pazareve të tij antiamerikane.http://gazeta55.al

 
 
 

Comments


Liqeni Artificial i Tiranës, Tiranë, Albania

  • Facebook
  • Twitter
  • LinkedIn

©2017 by Globnews.Al. Proudly created with Wix.com

bottom of page