Miku i Tahirit i cili u akuzua për trafik droge, emërohet drejtor i ALUIZNI-t
- Glob News
- Dec 21, 2017
- 1 min read
Në prill të këtij viti, policia e Shtetit, në një aksion në Përmet mundi të sekuestronte 12 tonë kanabis sativa në një magazinë.
Dhe vetëm një ditë më vonë, Berisha përmes një statusi në profilin e tij në ‘Facebook’, denonconte se droga në fjalë ishte e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit dhe ish-kreut të minibashkisë 6 në Tiranë, Krenar Cenollarit.
Po ashtu, Berisha hidhte akuza ndaj Cenollarit, se duke qenë mik i Tahirit, kishte ndikuar në shumë emërime që ishin bërë në Polici, në qarqet e Tiranës dhe të Përmetit.
Në këtë denoncim përfshihej edhe Gentian Alizoti, ku sipas ish-kryeministrit ai është dënuar në vitin 2012 për trafik droge, ndërsa thuhet se ka lidhje gjaku me Cenollarin.
Megjithatë, që nga prilli, shumë gjëra ndodhën: Për Tahirin prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij si i implikuar në trafik droge, 3 zyrtarë të Policisë së Shtetit janë shpallur në kërkim po për drogë.
Por, Express mëson se Cenollari ka kaluar me ngritje, duke u emëruar drejtor i ALUIZNI-t Tirana-Rurale. Nuk dihet nëse këtë detyrë Cenollari e ka fituar me konkurs apo është emëruar nga drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame duke mos qenë fitues i ndonjë konkursi të tillë.
Ky i fundit, pasi qeveria e kryeministrit Edi Rama fitoi mandatin e dytë, u shpreh se të gjithë drejtorët e këtij institucioni do të dalin nga një konkurs transparent. /Gazeta Express
/GazetaExpress/

Comments