top of page

Prokuroria zbardh 7 udhëtimet e Tahirit jashtë shtetit me Sotën

  • Writer: Glob News
    Glob News
  • Dec 13, 2017
  • 4 min read

Zbardhja e vendimit të plotë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila i ndalon që nga dita e djeshme lëvizjen e lirë jashtë shtetit deputetit Saimir Tahiri ka nxjerrë në dritë edhe lidhjen e tij me familjen e Orest Sotës. Konkretisht në dosjen dorëzuar gjykatës, prokuroria ka sqaruar edhe lidhjen e Tahir-Sota, por edhe shoferit të ish-ministrit të Brendshëm, i cili rezulton se ka lëvizur me automjete të familjes së biznesmenit Sota. Provat që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur dje në Gjykatën për Saimir Tahirin, tregojnë edhe lidhjet që ish-ministrit i Brendshëm ka me Orest Sotën. Këtij të fundit, më 1 nëntor iu gjetën në makinë një sasi prej 863.100 euro, për të cilat organi i akuzës ka dyshime se lidhen me aktivitete të paligjshme të Tahirit. Sipas hetimeve të Prokurorisë, të paraqitura në Gjykatën e Krimeve të Rënda, “të dhënat e marra nga sistemi Tims japin njoftime për njohjen midis shtetasit në hetim Saimir Tahiri e ish-shoferit të tij, Gentian Çeka, me shtetasin Orest Sota dhe familjarët e këtij të fundit, për shkak të disa udhëtimeve jashtë shtetit, me automjete të njëjta”. Udhëtime që Prokuroria i ka specifikuar: Me datë 24.02.2017, ora 08:05 shtetasi Orest Sota ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Murriqan, me automjetin me targë MB 279 AA, e cila rezulton në inventarin e mjeteve të Ministrisë së Brendshme. Me këtë mjet ka disa hyrje-dalje shtetasi Gentian Çeka, shoferi i shtetasit Saimir Tahiri. Me datë 07.07.2017, ora 22:14 shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Murriqan, me automjetin me targë AA 973 RX, që rezulton e regjistruar në emrin e shtetasit Ardit Sota, vëllait të Orest Sotës. Është kthyer me datë 09.07.2017, ora 15:39, nga e njëjta pikë kalimi dhe me automjetin me targë AA 101 DJ, që rezulton e regjistruar në emrin e shoqërisë “IKONA” me pronar Lefter Sota, babai i Orestit. Me datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Porti Durrës, me automjetin AA 516 NU (i regjistruar në emrin e shtetasit Endri Hasa nga Elbasani dhe s’ka lidhje me familjen Sota) dhe nga linja “Bari-Rigel-Duni”. Është kthyer me datë 07.08.2016, ora 13:19, nga e njëjta pikë dhe e njëjta linjë, por nuk ka të regjistruar mjetin me të cilin është kthyer. Më datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Orest Sota ka dalë nga Porti i Durrësit, me linjën “Bari-Rigel-Duni” (nuk ka të dhëna për mjetin apo mënyrën e lëvizjes së tij). Është kthyer me datë 07.08.2016, ora 13:22, nga e njëjta pikë dhe e njëjta linjë. Me automjetin AA 101 DJ kanë hyrje-dalje shtetasit Orest Sota dhe Gentian Çeka. Në mënyrë të përmbledhur rezulton se, Shtetasi Saimir Tahiri ka tre dalje dhe dy hyrje me automjetin me targë AA 973 RX që është në pronësi të familjes Sota. Shtetasi Saimir Tahiri ka një dalje me automjetin me targë AA 101 DJ që është në pronësi të shoqërisë “Ikona” me pronar Lefter Sota. Shtetasi Gentian Çeka ka dy dalje dhe një hyrje me makinën me targë AA 718 OS që është në pronësi të Orest Sotës. Shtetasi Gentian Çeka ka dy dalje dhe një hyrje me makinën me targë AA 101 DJ që është në pronësi të shoqërisë “Ikona” me pronar Lefter Sota. Shtetasi Gentian Çeka ka një hyrje me makinën me targë AA 973 RX që është në pronësi të Ardit Sotës.

Ministri italian për dosjen Habilaj: Shkëmbimi i informacionit është i shkëlqyer

Ministri italian Andrea Orlando, vizita e të cilit përkoi me të njëjtën ditë, kur Gjykata zbardhi një vendim mase sigurimi, përmes të cilit i ndalonte daljen jashtë ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, nuk pranoi të bënte komente për këtë çështje. “Nuk komentoj veprimet e Magjistraturës italiane, aq më pak mund ta bëj me vendimet e Magjistraturës shqiptare. Funksioni ynë është që shkëmbimi mes Magjistraturave të bëhet në mënyrën sa më të mirë dhe jo të gjykojmë në vend të gjyqtarëve apo hetojmë në vend të prokurorëve, nuk duhet të bëjmë detyrën e tyre”, u shpreh Orlando. Ministri italian ka komentuar dhe një nga dosjet më të bujshme, siç është ajo e trafikantëve “Habilaj” për të cilët vijojnë ende hetimet në shtetin fqinj. Ndonëse i përfshirë në të është edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ministri italian deklaroi se, hetimet për këtë dosje vijojnë në shtetin italian dhe problemet e vetme që ekzistojnë janë të natyrës teknike. Pyetjes se a keni pasur bashkëpunimin e duhur me autoritetet shqiptare për dosjen Habilaj, ministri italian Orlando u përgjigj se, shkëmbimi i informacionit është i shkëlqyer dhe niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve është në nivele shumë të mira. “Problemet e vetme që ekzistojnë janë mënyrat e vlerësimit të disa proceseve të zhvilluara në mungesë të disa të akuzuarve. Me ballafaqimin e çështjeve që kanë më shumë karakter teknik, problemet mund të zgjidhen”, tha ai. Ai nuk pranoi të komentonte vendimin e gjykatës shqiptare për t’i ndaluar ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri lëvizjen jashtë Shqipërisë. Në Ministrinë e Drejtësisë, zyrtari italian dhe homologia e tij shqiptare, Etilda Gjonaj, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi mes dy ministrive përkatëse. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, i pyetur në lidhje me një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Orlando u përgjigj: “Nuk na takon ne të caktojmë datë, por ekzistojnë të gjitha parakushtet për çeljen e këtij procesi”. Memorandumi i nënshkruar nga Orlando dhe Gjonaj parashikon rritjen e bashkëpunimit mes dy ministrive në fushën e legjislacionit, në gjyqësor e fusha të tjera nën juridiksionin e tyre. Rilindja demokratike

 
 
 

Comments


Liqeni Artificial i Tiranës, Tiranë, Albania

  • Facebook
  • Twitter
  • LinkedIn

©2017 by Globnews.Al. Proudly created with Wix.com

bottom of page