top of page

Rama Tahirit: Prokurori do të jetë i yni

  • Writer: Glob News
    Glob News
  • Dec 8, 2017
  • 4 min read

Vendosmëria e Edi Ramës për të marrë kundër Kushtetutës dhe ligjit Prokurorin e Përgjithshëm, para se të ngrihet SPAK-ut, është një provë besnikërie e kryeministrit ndaj Saimir Tahirit. Kapja e prokurorit është e vetmja mënyrë për ta garantuar Tahirin se s’do të përfundojë prapa hekurave e rrjedhimisht edhe një garanci se ish-ministri s’do rrëfejë për rolin e kryeministrit si kapo-bandë e bashkëjetesës me klanet e kanabisit. Mesazhi “Prokurori do të jetë i yni” është një përpjekje e dëshpëruar për të zgjatur pushtetin politik, në kurriz të pushtetit gjyqësor dhe në dëm të stabilitetit të vendit

Dosjet e narko-republikës dhe korrupsionit që kanë zbarkuar nga agjencitë partnere në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm prej kohësh ju shndërruan në makth Edi Ramës dhe për të eleminuar shqetësimet e tij, kryeministrit i duhej të gjente një zgjidhje antiligjore, që konsiston në kapjen e sistemit të drejtësisë. E teksa përfundimi i mandatit të Adriatik Llallës po trokiste në derë, operacioni “fshesa” në Kryeprokurori, në një kohë që edhe KLP e SPAK-u nuk janë konstituuar ende, ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për Edvinin, që me një zëvendësues marionetë të zhyste në harresë dosjet e ushtarëve të tij të krimit dhe drogës. Për finalizimin e kësaj ideje të çartur, që e nxjerr cullak para shqiptarëve, duke e shembur me themele propagandën e bërë prej tij për dashurinë ndaj reformës në drejtësi, Edvini nxori në skenë edhe OPDAT e EURALIUS, që të mbronin votimin me shumicë të thjeshtë. Gjithë ofensiva e nisur që prej fillimit të nëntorit është e qartë dhe tregon dëshirën e madhe të kësaj mazhorance të krimbur në para droge e të përlyer në korrupsion për të marrë peng reformën e famshme, në mënyrë që drejtësia të mos veprojë kurrë kundër tyre. Baroni i narko-shtetit i ka premtuar bashkëpunëtorit të tij Saimir se dyert e qelisë nuk do të hapen kurrë për asnjërin prej të dyve, sepse si kriminel i zoti që është, kryeministri do të bëjë gjithçka për të nxjerrë blof shtetin ligjor në përpjekjet për të prangosur itharët e Kanabistanit. Nëse në mandatin e tij të parë u investua për të penguar zbatimin e ligjit të Dekriminalizimit, sepse ishte i dashuruar me vrasësit, përdhunuesit, trafikantët e të korruptuarit që përbënin bazën e “Rilindjes” në qeverisjen qëndrore e lokale, sot Edi Rama ka ndryshuar kurs, por jo vullnetin e tij prej banditi. Tani që farën e parë të së keqes e shfarrosi vullneti i opozitës për ta ruajtur me stohicizëm Dekriminalizimin nga duart e krimit dhe bandave, Edvinit i duhet të luajë kartat antikushtetuese në mënyrë që të gjunjëzojë shtetin e së drejtës përballë kultivuesve të kanabisit, policisë së inkriminuar dhe klikës ministrore që voli miliona nga tenderat korruptivë dhe koncensionet klienteliste. Më shumë sesa për të shpëtuar Tahirin me shokë nga “Forca e vërtetë e Ligjit” dhe jo operacioni qesharak i nisur nga Ministria e Brendshme, kryeministri ka ndikuar qëllimisht që të krijohet një boshllëk kushtetues me KLP-në, që të dalë i larë vetë ai dhe i vëllai Olsi nga pazaret që kanë bërë me trafikantët për kokainën dhe kanabisin. Me finalizmin e këtij plani monstruoz ditën e djeshme, ku votat e PS-së i hapën rrugën procedurave për zgjedhjen e zëvendësuesit të Llallës, Edvini i tha Tahirit të fshehur prej fillimit të nëntorit të mos shqetësohet se: “Prokurori do t’i përkasë atyre”.

Kronika – PD: Zgjedhja e Kryeprokurorit me më pak se 84 vota është një thikë pas shpine për reformën në drejtësi/Pikërisht ashtu siç ishte paralajmëruar nga vetë kryebaroni Edi Rama, mazhoranca ka hedhur ditën e djeshme hapin e saj të parë të njëanshëm në procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të vendit. Mbledhja e Komisionit të Ligjeve, e cila nisi prej orës 11 e zgjati plot 3 orë përfundoi me miratimin e projekt vendimit të paraqitur nga relatori Bledi Çuçi, për të nisur procedurat për zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshëm të Përgjithshëm vetëm me votat e mazhorancës. Kryetari socialist i komisionit, Ulsi Manja tha se mandati 5-vjeçar përfundonte dje për Adriatik Llallën, ndërkohë që Kushtetuta aktuale sipas mazhorancës ka parashikuar një rregullim të ri, sipas të cilit prokurori i ri zgjidhet ndërmjet tre kandidatëve për një mandat 7-vjeçar pa të drejtë riemërimit. Por pavarësisht se Kushtetuta konsensuale është e qartë dhe duke u bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias, përcakton se kandidaturat që do të votohen në Kuvend me shumicë të cilësuar duhet të vijnë nga KLP dhe të kenë kaluar me sukses Vettingun, socialistët e Ramës nuk e vrasin mendjen dhe u kapën pas një memoje ligjore, për të finalizuar “kapjen” e sistemit me nisjen e procedurave për një Kryeprokuror të përkohshëm. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u rreshtuan kategorikisht kundër nisjes së procedurave për zëvendësimin e Adriatik Llallës, duke nënvizuar se mazhoranca po shkel me të dyja këmbët Kushtetutën që u votua me 140 vota pro në 2016. Në fjalën e tij, deputeti demokrat Eduard Halimi nënvizoi se me këtë vendim shkelen hapur edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, ndërsa deputeti Enkelejd Alibeaj duke folur në emër të grupit nënvizoi se nuk jemi në prag të një ngërçi institucional, ndaj insistimi i mazhorancës shpjegon vetëm vullnetin keqdashës për të marrë peng sistemin e drejtësisë në vend. Mbledhja përfundoi pas rreth 3 orësh debate dhe deputetët e PD-së e LSI-së u larguan pak momente përpara votimit, duke akuzuar PS-në se në shkelje të Kushtetutës do të zgjedh një marionetë të vetën për të kapur sistemin e drejtësisë dhe për të fshirë disa nga dosjet e korrupsioni të eksponentëve të saj politik. “Ne jemi me Kushtetutën, ju me ligjin. Këtu mbaron”, tha deputeti i PD, Eduard Halimi në momentin e largimit nga salla të opozitës. Vetëm pak minuta pas largimit të opozitës PS votoi e vetme për hapjen e rrugës për zgjedhjen e zëvendësuesit të Adriatik Llallës brenda 30 ditëve të ardhshme vetëm me 71 vota. gazeta55

 
 
 

コメント


Liqeni Artificial i Tiranës, Tiranë, Albania

  • Facebook
  • Twitter
  • LinkedIn

©2017 by Globnews.Al. Proudly created with Wix.com

bottom of page