Në ditën e 4-ët të përmbytjeve, shumë zona nën ujë e të braktisura totalisht nga shteti
- Glob News
- Dec 4, 2017
- 5 min read
Shqipëria ka hyrë në ditën e katërt të përmbytjeve dhe reshjet e shiut që duhet thënë se janë pakësuar ndjeshëm pasditen e djeshme, kanë lënë pas dëme të jashtëzakonshme në banesa, por edhe në bagëti e bujqësi. Sipas raportit më të fundit të përpiluar nga Emergjencat Civile, qarqet më të goditura nga vërshimet e lumenjve janë Fieri dhe Vlora, ku janë përmbytur 10.217 ha tokë si dhe 5,781 ha me prani uji. Në zonat e prekura krahas menaxhimit të emergjencës ka nisur inventarizimi i dëmeve, ndërsa në të gjithë vendin janë prekur 596 familje dhe janë shpëtuar nëpërmjet evakuimit 1,552 qytetarë. Ndërkohë në mbarë vendin bëhet fjalë për 3,337 banesa të përshkuara nga uji, por dëmet janë të mëdha në infrastrukturë, ku janë shkatërruar 28 ura. Mungesa e energjisë është një tjetër problematikë madhore, pasi numri i abonentëve që s’kanë energji është tepër i madh në fshatrat e Vlorës, Fierit dhe Fushë-Krujës.
Fier: Qarku i Fierit është ndoshta më i prekuri nga përmbytjet e këtyre katër ditëve të fundit, ku lumenjtë që prekin territorin e këtij qarku dolën nga shtrati, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme materiale. Edhe ditën e djeshme situata ka qenë e rëndë, ndërsa uji është i ndotur dhe jo të gjitha zonat furnizohen. Mendohet që situata e ujit të pijshëm të vijojë të mbetet e tillë për një javë, ndërsa e njëjta problematikë shfaqet edhe në Ballsh. Mesnatën e së dielës gjendja është përkeqësuar ndjeshëm në fshatin Darezezë, ku problemet me argjinaturën e Vjosës kanë rrezikuar të prodhojnë një katastrofë. Deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm ishin evakuar 507 familje. Darzeza u godit rëndë nga vërshimet e Vjosës, ndërsa në mesditë rreth 400 familje me 2000 banorë mbetën të izoluar nga shembja e urës, që lidh fshatin me qytetin. Forcat e Armatosura vendosën një urë provizore të përbërë nga disa dërrasa druri që u mundësoi banorëve kalimin për çdo emergjencë. Vjosa është rikthyer në shtratin natyral gjatë pasdites, por uji ka mbetur i pranishëm në banesat e Ferrasit, ndërsa banorët e fshatit për mediat thanë se kaluan 48 orë të vështira në luftë për të shpëtuar atë çka kishin ndërtuar për një jetë të tërë. Ata kanë kërkuar të ndiejnë dorën e shtetit, pasi tashmë kanë nevojë për ujë, bukë dhe energji. Në Ferras përmbytjet i kanë shkatërruar të gjitha orenditë shtëpiake, ndërsa humbje të mëdha ka në bujqësi e blegtori. Banorët e kësaj zone kërkojnë që qeveria të marrë masa për kanalizimet, që të shmangen të tilla situata në vijim. “Uji ishte 1 metër. Na ka dëmtuar të gjitha plaçkat e shtëpisë, janë bërë ujë. Vendosëm thasë me rërë aty kot. U mbytëm në ujë. Të marrë masa qeveria, të na shikojë. Duhen bërë kanalizimet, çfarë bën PS? I mori votat ai, të hapë kanalet, ti bëjë. Asnjë nuk ka ardhur, vetëm kryeplaku i fshatit, çfarë do të bëjë ai? Të vinë ata të mëdhenjtë, kur vinë për vota, vinë dhe i marrin. Tani që u njoma, u shkatërruan dhe plaçkat çfarë të bëj unë? Ka sjellë gomone, se ku do të shkojmë me gomone ne, do vimë në Tiranë tek Rama. Çfarë ushqimi, tre ditë pa bukë, po ne kemi hallin e plaçkave për bukë nuk vdes njeri”, thuhet në deklaratat e banorëve. Lushnja është prekur më pak nga përmbytjet dhe paraditen e djeshme lumi Shkumbin u kthye në shtratin e vet. Hidrovorët e Tërbufit, Karavastasë dhe Divjakës kanë punuar me kapacitet të plotë për të thithur ujërat, ndërsa 100 hektarë tokë janë nën ujë në fushën e Tërbufit.
Gjirokastër: Territori i këtij qarku, me të gjitha bashkitë që bëjnë pjesë është prekur nga përmbytjet që vijnë si pasojë e dalje nga shtrati të lumenjve Vjosë e Drino. Vërshimi i ujërave ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Gjirokastër, por edhe në rrethina, teksa ditën e djeshme është bërë e mundur të evidentohet një pjesë e kostove të kësaj katastrofe. Gjatë orëve të paradites është shembur pjesërisht një banesë e vjetër në zonën historike të këtij qytetit. Gjithashtu moti i keq dhe stuhitë e forta kanë shkaktuar dëmtime të rënda edhe në dhjetëra banesa të vjetra ç’ka ka bërë që ato të jenë në rrezik shembje. Familjarët që banojnë aty janë ekavuuar dhe për momentin ndodhen në konviktin e qytetit, ku janë sistemuar nga autoritetet vendore dhe Emergjencat Civile. Rrëzimi i kësaj banese mund të dëmtojë dhe një banesë tjetër fare pranë saj. Ndërkohë dy banesa rrezikohen të shemben nga shkarjet masive të dheut në fshatin Arshilengo, rreth 2 km larg qytetit të Gjirokastrës. Pronarët e shtëpisë apeluan për mediat që të merren masa pasi po ju ikën shtëpia e jetës, ndërsa theksuan se institucionet përkatëse kanë treguar vetëm indiferentizëm karshi tyre. Në zonën e Dropullit, që i përket qarkut të Gjirokastrës, janë bllokuar ditën e djeshme plot 1500 banorë. Shtatë ura që lidhnin 5 fshatrat e Dropullit me qytetin janë shembur në orët pas mesnatës, ndërsa banorët vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike dhe atë të ujit të pijshëm. Ndërkohë që bëhet e ditur se këto fshatra dhe rrethina të tjera kanë pësuar humbje të konsiderueshme në banesa, bagëti, bazë ushqimore dhe prodhime bujqësore.
Berat: Lumi Osum, një nga më të mëdhenjtë në vend, ka lënë pas dëme të mëdha në qarkun e Beratit, ku duket se zona më e prekur është ajo e Skraparit. Osumi që kishte pushtuar pedonalen e qytetit për rreth 24 orë është rikthyer ditën e djeshme në shtratin e tij natyral dhe ndërprerja e reshjeve të shiut ka sjellë uljen e prurjeve. Gjatë paradites, rrugët e Beratit kanë qenë të zhytura në baltë, ndërsa u mbajt nën kontroll lagjia Goricë. Situata ka qenë e rënduar gjatë mesnatës së të dielës në lagjen ‘Dafinat” të Urës Vajgurore, ndërsa në Skrapar shumë fshatra janë ende pa energji elektrike. Përroi i Guhakut atje ka vërshuar duke dëmtuar dhe një biznes me prurjet e tij. Shumë toka bujqësore në njësitë administrative të Urës Vajgurore janë nën ujë. Dëme të konsiderueshme ka pasur edhe në territorin që administrohet nga Bashkia Poliçan, ku dalja nga shtrati e lumit Osum, shkaktoi përmbytjen e rreth 31 hektarë tokë, në fshatrat Mbrakull, Fushë-Peshtan, Bregas e Vodicë, prej të cilave 25 hektarë tokë gjenden ende nën ujë. Prurjet e dendura të lumit kanë shkaktuar përmbytje në stacionin e pompimit të fshatit Mbrakull, duke e dëmtuar dhe nxjerrë jashtë funksionit. Situata ka qenë problematike edhe në fshatrat Fushë-Peshtan dhe Tozhar, pasi në këto fshatra u dëmtuan tërësisht urat pasarel që lidhin fshatrat me pjesën tjetër. Gjendja është paraqitur e rënduar në 25 shtëpi të komunitetit rom, të cilat ndodhen në periferi të lagjes “30 Vjetori”, shumë pranë lumit Osum.
Shkodër: Në qarkun më të madh të veriut të vendit nuk ka pasur përmbytje, por ditën e djeshme si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës janë bllokuar disa akse malore dhe fshatra. I bllokuar ka qenë aksi rrugor Qafë Thore, Selcë-Vermosh, Shosh-Shalë, ku trashësia e dëborës ishte rreth 50 cm, ndërsa në aksin rrugor Qafa Shllak-Qafë Mali trashësia e dëborës i ka kaluar 40 cm. Gjithashtu i bllokuar ishte edhe aksi Shkodër –Theth, i bllokuar pasi në Qafë Thore, ka pasur mbi 40 cm dëborë, ndërsa kishte edhe rrëshqitje gurësh e dherash, apo dalje të përrenjve në rrugë. Aksi rrugor Shkodër–Breg Lumi, në vendin e quajtur Mali Shoshit ka 30 cm dëborë, ka qenë i kalueshëm me vështirësi me zinxhir vetëm për mjetet e larta. Ndërkohë mungesë të energjisë elektrike ka pasur në fshatrat e Njësive Shosh, Shalë, Theth dhe Pult, sepse linjat elektrike ka qenë të këputura nga era. Probleme me lëvizjen ka pasur edhe në aksin rrugor Pukë- Fushë-Arrëz. Gjithashtu rreth 300 familje në zonën e Dukagjinit kanë mbetur të bllokuara nga dëbora dhe kanë kërkuar dje ndërhyrjen e institucioneve shtetërore në mënyrë të menjëhershme. Banorët bënë thirrje për ndihmë urgjente, pasi janë të bllokuar dhe në zonë nuk ka asnjë mjek për të përballuar rastet e sëmundjeve. Prej 5 ditësh ata vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike, ndërsa qarkullimi është paralizuar në rrugët që lidhin Shkodrën me Dukagjinin.

Comments